Rritja e pagave për shërbimin e mbrojtjes/ Rama në "Flasim": Vendim i planifikuar në sistemin buxhetor, vlerësohet shërbimi jetik

Rama në podcastin "Flasim" e ka komentuar vendimin e Këshillit të Ministrave për rritjen e pagave të shërbimit të zjarrit dhe mbrojtjes, duke thënë se kjo shtesë ka ardhur si pasojë e politikës së re të pagave.
Ndërkaq, ky vendim ishte i planifikuar dhe Kryeministri ka shprehur vlerësim për këtë shërbim jetik që siguron jetën e njerëzve në raste rreziku.

Kemi miratuar këtë javë vendimin e Këshillit të Ministrave për rritjen e pagave për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin. Konkretisht, paga për gradë është rritur si rezultat i indeksimit për të gjitha gradat, por edhe si rezultat i një rritje shtesë për disa funksione sipas politikës së re të pagave.

Pra, për asistent zjarrfikës, zjarrfikës, kryezjarrfikës, nënkomisar zjarrfikës dhe komisar zjarrfikës, ka një rritje shtesë të pagës përtej indeksimit. 

Dhe kostoja financiare për këtë vit do të përballohet nga buxheti i miratuar i institucioneve përkatëse dhe për pushtetin vendor nga fondet e transferuara nga buxheti i shtetit tek arkat e vetë bashkive.

Është një vendim i planifikuar dhe i integruar në sistemin buxhetor. Është një mesazh i qartë, ku vlerësohet një shërbim gjithmonë e më jetik, lidhur me sigurinë e jetës dhe me mbrojtjen e pronës dhe zjarrfikësit janë ndër të parët që shkojnë aty, ku rreziku është krejt real dhe e përsëris në një kohë kur zjarret janë një fenomen, me sa duket, i pandalshëm dhe në zgjerim në rang global.

Do të vazhdojmë të forcojmë, jo vetëm kapacitetet teknike të këtij shërbimi, por patjetër do të vazhdojmë t’i përkushtohemi burimeve njerëzore në këtë shërbim dhe sigurisht dinjitetit  të të gjithë atyre që në uniformën e zjarrfikësit bëjnë heroizma. 

NDIQNI PODCASTIN: