Qafë Thore-Theth nën rrezikun e ortekëve/ ARRSH: Segmenti do të bllokohet deri sa zona të jetë e sigurt për qarkullim
Rruga “Qafë Thore – Theth” është mbyllur për qarkullimin e automjeteve për shkak të rrezikut nga ortekët e dëborës.
Sipas njoftimit të autoriteteve rrugore, moti i keq dhe reshjet e dendura kanë rritur ndjeshëm rrezikun në këtë segment malor.
Për arsye sigurie, kalimi është ndaluar për të gjitha mjetet, përfshirë edhe borëpastrueset.
Rruga do të qëndrojë e bllokuar deri në një njoftim të dytë.
Drejtuesve të mjeteve u kërkohet të shmangin këtë aks dhe të ndjekin informacionet zyrtare për çdo përditësim.
Njoftimi zyrtar:
Bazuar në analizën e riskut dhe pas komunikimit me inxhinierët e firmës kontraktore për mirëmbajtjen e rrugës, dhe ARrSh-në, në segmentin rrugor “Qafë Thore – Theth”, për shkak të rrezikut nga ortekët e dëborës si pasojë e kushteve të përkeqësuara atmosferike, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, pasi rrezikshmëria është e lartë.
Ky segment rrugor do të mbahet i bllokuar deri në një moment të dytë. Për arsye sigurie, qarkullimi do të qëndrojë i mbyllur për të gjitha automjetet, përfshirë edhe mjetet borëpastruese, pasi zona paraqet rrezik të lartë për kalim.
U bëjmë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën, të shmangin këtë aks dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për përditësime të mëtejshme.

