Në vend të polemikës: Këndvështrimi nuk është njëanshmëri!

* Një shpjegim miqësor për një përgjigje të pa kërkuar të doktor Skënder Bratajt.

Jo krejt për motive etike, më shumë si shprehje nderimi për Kadarenë e respekti për të përfshirët në një debat mbi dhe për të (që për mua qe krejt i pavend!), zgjodha të mos u referohem emrave e as të polemizoj me ta, por të bëj një sprovë modeste për një trajtesë në një shtrat krejt tjetër, se përse përjetësia nuk ka nevojë për mbrojtje.

Jo se nuk më pëlqen polemika. Në bindjen time e prej përvojës së gjatë tashmë në profesionin e gazetarit dhe përgjatë kohës së angazhimit politik, e kam mësuar se pa aftësinë për të qenë polemist, edhe si gazetar dhe, edhe si politikan, mbetesh i gjymtë.

Përkundër, zotërimin e aftësisë për të qenë edhe polemist, nuk e çmoj as si epërsi dhe as si mundësi kalorsiake për të ftuar në dyluftim me kast ndokënd e për ta vënë në qoshk.

Duke ruajtur këtë vijësjellje si zgjedhje parimore, më duhet t’i mëshoj idesë se unë nuk kam shkruar vetëm për përjetësinë letrare, pasi koncepti im për përjetësinë është shumë më tepër se aq.

Kushdo që ka mundur ta lexojë  shkrimin tim me titull: “Përjetësia nuk ka nevojë për mbrojtje”, prej nga ku ka marrë shkas edhe Dr. Skënder Brataj për të shkruar për mua një përgjigje të pakërkuar e të panevojshme, pasi unë as e kam përmendur atë dhe as i ja drejtuar atij, nuk e ka patur të vështirë të kuptojë domethënien e përcaktimit se veprat nuk janë thjesht produkt i kohës; ato janë hapësira ku njeriu i përjetshëm dhe njeriu i kohës bashkohen.

Përjetësia nuk është një hapësirë neutrale. Ajo ndërtohet. Kanoni letrar nuk është vetëm rezultat i vlerës estetike, por edhe i përzgjedhjes historike.

Jo pa shkak në shkrimin që sipërcitova unë zgjedh të iki prej emrit Kadare dhe edhe më shumë prej polemikës me emrin dhe veprën e tij në mes, sepse e quaj të neveritshme dhe të pamoralshme rendjen për ta trajtuar shkrimtarin si plaçkë të vënë në mes dhe që dikush e merr dhe një tjetër e mbron. Kacavjerrje të tilla e bjerrin brendinë e nismës, edhe kur ajo yshtet prej ndjesish thelbësisht njerëzore.

Ndaj, aq sa më duhet t’i jem mirënjohës doktorit në fjalë, jo vetëm sepse ka gjetur kohë prej angazhimeve të tij të qenësishme në këto kohë të ngarkuara e të rënduara me viroza të shumta, të cilat duhet t’i përballojë më së pari shërbimi që i është besuar të drejtojë, që të më drejtohet me shkrimin e vet elegant, por, po aq më duhet t’i shpreh keqardhjen time që ai mendon se unë mendoj që ai ka gënjyer! Këtë as e kam menduar dhe as e kam shkruar.

Vëmendjen e doktorit e çmoj, sepse vëmendja në vlerësimin tim është shenjë eprore e respektit për tjetrin.

Por, më duhet t’i them se unë nuk e kam në natyrë t’i cilësoj apo përcaktoj të tjerët, sidomos ata që nuk i njoh nga afër apo që nuk i kam takuar ndonjëherë në jetë, me përcaktime apo cilësime që prekin dinjitetin, karakterin apo integritetin e tyre. Kodet e komunikimit i respektoj me shumë korrektesë, pavarësisht kujt i drejtohem e më kë më duhet të komunikoj.

Nuk do t’i kisha shkruar këto radhë për askënd, e aq më pak për doktorin emër-mirë, nëse ai nuk do të merrte përsipër që në përgjigjen për mua të arrinte në disa përfundime alogjike, që në fakt nuk përputhen me çfarë unë mendoj dhe çmoj për atë që ai është në të vërtetë.

Doktori shkruan, (po citoj):

“Jeni të njëanshëm sepse jeni miq me njëri-tjetrin dhe kjo është keqardhje sepse nëse ju nuk e keni kuptuar objektivin e shkrimit tim po e spjegoj edhe njëherë”.

Që ta kuptojë lexuesi me “jeni miq me njëri-tjetrin” ai ka parasysh zotin Bujar Hudhri, përkthyes i njohur dhe botuesi i veprës së Kadaresë, gazetarin Mentor Kikia dhe mua.

Unë dhe Bujar Hudhri nuk jemi miq me njëri-tjetrin. Do të ndjehesha i nderuar nëse do të ishte e vërtetë ajo që thotë doktor Brataj, por ja që nuk është. Me Bujar Hudhrin në tridhjetë vite e tëhu mund të jem takuar gjithsej katër ose pesë herë, e në një nga ato, bashkë me Kadarenë.

Unë nuk e di se prej nga niset doktori që më bën mik me Bujarin, pasi nuk e di nëse e ka apo jo informacionin e mësipërm. Por, dhe nëse e ka atë informacion, pra informacionin se sa here jam takuar unë me Bujarin, a janë ato 4-5 takime të mjafta për të qenë mik me dikë?

Ndërsa, për gazetarin Mentor Kikia, mund t’i them doktorit që me të njihem prej tridhjetë vitesh, jemi kolegë në profesion, e repektojmë korrektësisht njëri-tjetrin, por nuk jemi miq. Do të më nderonte padyshim miqësia me të.

Nëse doktori na quan të treve miq me njëri-tjetrin nisur nga sa ai ka lexuar çfarë kemi shkruar ne sëfundmi, më duhet ta mbyll këtu këtë shkrim, duke i kërkuar ndjesë doktorit, pasi pa asnjë synim e krej pa dashjen time, i jam imponuar të shkruaj një përgjigje pa sens logjik dhe që për më tepër, nuk i shkon formatit të tij. Ose më së paku, pritshmërive të mia për të.

Po nëse unë do të kisha shkruar fjala vjen një shkrim me qasje tjetër e të kisha thënë ato që thotë doktori në polemikat ne zotin Hudhri dhe zotin Kikia veç e veç, pra nëse do të isha jo vetëm në një mendje por edhe në çdo fjalë i përputhur me doktorin, a do ta quante doktori shkrimin tim të njëanshëm dhe a do të me bënte kjo mik me të? Afërmendsh që jo.

Që shkrimi im mund të mos i ketë pëlqyer doktorit, është krejt normale e kjo mua nuk më shqetëson. Por, kjo nuk më jep mua aspak të drejtë të shprehem se doktori e shikon problemi nga një këndvështrim shumë i vogël, siç ai shprehet për mua.

Këndvështrimi është individual dhe varet nga pozicioni nga ku sheh ose gjykon. Ai kushtëzohet prej përvojës personale, prej formimin kulturor, gjendjen emocionale, kontekstin historik etj.

Dy njerëz mund të lexojnë të njëjtin roman dhe të nxjerrin përfundime krejt të ndryshme, sepse secili e lexon përmes filtrit të vet.

Pra, këndvështrimi nuk është njëanshmëri, por mënyra për të kuptuar realitetin në dimensione të ndryshme.

Mandej, enumeracioni i pyetjeve në përgjigjen e pakërkuar të doktorit se (citoj):

“Çfarë keni bërë konkretisht ju për mbrojtjen dhe nderimin e figurave kombëtare shqiptare?

Sa shtatore, memoriale apo iniciativa përkujtimore mbajnë firmën ose mbështetjen tuaj direkte?

Cili ka qenë qëndrimi juaj kur Skënderbeu është reduktuar si figurë fetare dhe jo kombëtare?

A keni reaguar publikisht kur Nënë Tereza është baltosur për t’i mohuar kombësinë shqiptare?

Çfarë keni bërë për faktin që shumë firmëtarë të Pavarësisë nuk kanë as varr të identifikuar?

Pse shtatorja e Ismail Vlorës u vendos në Tiranë vetëm në 100 vjetorin e pavarësisë? Pse u fsheh në një lulishte?” etj, nuk meriton asfare vëmendje në këtë kontekst, sepse më ngjan një përpjekje e pavend dhe e pamençur nëse e zbresim nivelin e debatit në të tilla klishe rudimentare.

Jo se nuk janë tema që meritojnë vëmendje, qoftë edhe për një debat sy më sy me doktorin për të cilin unë jam i gatshëm dhe krejt i hapur, por nëse fillojmë dhe i përqasemi njëri-tjetrit me se sa shtatore apo memoriale mbajnë firmën e njërit apo tjetrit, i bie qe nuk kemi marrë vesh hiçasgjë se çfarë është përgjegjësia qytetare dhe angazhimi intelektual.

Unë e çmoj shumë gjithë sa ka bërë me aq kushtim zoti Bujar Hudhri në shërbim të zotit Kadare, sikundër çmoj me të njëjtën cilësi nderimi përkushtimin fisnik si qytetar dhe intelektual të doktor Bratajt në nderim të zotit Kadare dhe në shërbim të zonjës Kadare, por kjo meritë nuk e vendos asnjërin prej tyre në pozitë të epërme në raport me ne të tjerët që mbase nuk kemi qenë aq të zotët sa ata.

Unë me doktorin nuk mbaj mend të jem takuar ndonjëherë. Por kemi mes nesh shumë miq të përbashkët. Kam takuar e kam ndenjur në Vlorë me të afërm dhe familjarë të doktorit, prania dhe miqësia e të cilëve ka qenë shumë e rëndësishme për mua në momente të vështira, e ndaj të cilëve jam mirënjohës pafund. Kësisoj, edhe pse nuk e kam takuar ndonjëherë, e njoh dhe e çmoj aq sa të mos e keqkuptoj e madje ta mirëkuptoj në reagimin krejt legjitim nga qasja e vet dhe këndvështrimi që ai ka zgjedhur.

Në mbyllje edhe një shpjegim; zgjodha të mos bëj polemikë me çfarë ka shkruar doktori sepse kurrë nuk bëj polemikë me ata që nuk kanë të njëjtin profesion me mua apo që nuk janë të së njëjtës fushë të interesave profesionale dhe intelektuale. Arsyetimi për të parashtruar qëndrimin tim për përgjigjen e pa kërkuar, nga një rrafsh stilistik dhe etik më linear, bazohet mbi mësimin që na vjen prej lashtësisë: “Ne sutor, ultra crepidam!” (Këpucar, rri tek këpuca!).

Edhe kjo është çështje zgjedhjeje, krejt individuale dhe e pakushtëzuar nga zgjedhja e tjetrit.