Kostoja e moszgjerimit të BE-së do të ishte më e lartë se ajo e anëtarësimit
“Kostoja e moszgjerimit të BE-së do të ishte më e lartë se ajo e anëtarësimit”
Ky është përfundimi i Komisionit për Punë të Jashtme (AFET) të Parlamentit Europian, i miratuar dje, i cili e kornizon zgjerimin e BE-së si një investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë gjeopolitike të Unionit.
Vonesa e zgjerimit rrezikon krijimin e zonave gri gjeopolitike, të cenueshme ndaj ndikimeve keqdashëse. Disa vende kandidate kanë vendosur tashmë objektiva ambiciozë për përfundimin e negociatave, edhe pse BE ku do të anëtarësohen nuk do të jetë i njëjti Union si sot.
Përputhja e përfundimeve të AFET me konsultimet aktuale për Kuadrin e ardhshëm Financiar Shumëvjeçar të BE-së (MFF 2028–2034) e rikthen debatin te një e vërtetë e thjeshtë: paratë kanë rëndësi!
Nga shumë realitete që ndikojnë këtë debat, njëri është veçanërisht i vështirë për t’u injoruar (shpresoj): gjatë këtij cikli të MFF-së, disa vende që aktualisht janë në proces zgjerimi pritet të bëhen shtete anëtare të BE-së.
Drafti i ri buxhetor i BE-së, 2028–2034, me një vlerë afërsisht 2 trilionë euro, e vendos zgjerimin brenda kapitullit “Global Europe”, i cili arrin rreth 190–200 miliardë euro.
Brenda tij, Instrumenti për Zgjerim dhe Fqinjësi parashikohet të marrë rreth 42.6 miliardë euro, pra vetëm 2.2% të buxhetit total.
Këto 42.6 miliardë euro aktualisht mbulojnë:
-të gjitha vendet në proces zgjerimi (pra edhe Ukrainën dhe Moldavinë plus 6 vendet e Ballkanit Perëndimor),
-politikën e fqinjësisë,
-dhe konkurrojnë me krizat globale, sigurinë, emigracionin dhe prioritetet gjeopolitike.
Kjo arkitekturë ngre një pyetje themelore:
A po merr parasysh Plani i ri Financiar i BE-së edhe mundësinë e zgjerimit me anëtarë të rinj apo ka planifikuar gjithçka duke ruajtuar statusin aktual te vende kandidate?!
Nëse Shqipëria dhe Mali i Zi anëtarësohen brenda 2034, financimi për frymë do të duhet domosdoshmërisht të rritet.
Aktualisht, vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6) marrin mesatarisht jo më shumë se 40 euro për frymë në vit.
Nëse Shqipëria anëtarësohet gjatë ciklit të ardhshëm financiar 2028-2034
-ajo del nga Global Europe Instrumenti për Zgjerim dhe Fqinjësi (ENI),
-hyn në Politikën e Kohezionit, Politikën e Përbashkët Bujqësore (CAP) dhe programet e brendshme të BE-së,
Shqipëria dhe Mali i Zi, dy vendet e radhës për anëtarësim, do të kenë nevojë për 500–1000 euro për frymë në vit, çka më çon sërish në këtë përfundim:
Nëse Kuadri i Ri financiar i BE-së nuk parashikon një mekanizëm të qartë tranzicioni për anëtarësimin dhe supozon se zgjerimi mund të absorbohet pa ndryshime strukturore, atëherë ???????? po rrezikon të mbetet strukturalisht e papërgatitur pikërisht për atë rezultat politik që sot e quan prioritet strategjik!
Jo më i vogël është rreziku që një “luftë për buxhetin” mes vendeve anëtare të BE-së ta kthejë anëtarësimin në një debat shifrash, në vend që të jetë një proces integrimi reformues, i menaxhuar dhe i planifikuar mirë.
Pikërisht për këtë arsye, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të mblidhen së bashku dhe të kërkojnë qartësi për
-një portofol të dedikuar për zgjerimin, brenda ose paralel me “Global Europe”,
-një periudhë buxhetore transitore të qartë për të kaluar nga paraanëtarësimi në anëtarësim të plotë,
-një Buxhet Europian që përputh ambicien politike me planet afatmesme financiare dhe mbi të gjitha realitetin gjeopolitik

