I pandehuri
Lexova me vëmendje padinë e të pandehurit Erion Veliaj kundër prokurorit të SPAK Ols Dado.
Më bëri jo pak përshtypje që në një padi me 24 faqe nuk citohej asnjë provë apo dokument që mbështeste pretendimin e Veliaj se Dado ishte emëruar prokuror në kundërshtim me ligjin. Fjali të gjata, retorikë, doktrinë dhe stërhollime nga ato që juristët dinë të bëjnë me shumicë, por asnjë shkresë, dokument, letër që mbështeste hartimin e gjatë të të pandehurit Veliaj kundër prokurorit Dado.
Për shembull i pandehuri Veliaj apo avokatët e tij minimalisht do të duhej që të kishin kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme (organi propozues) dhe Presidenti i Republikës (organi i emërtesës) praktikën e plotë të propozimit dhe emërimit të Ols Dados prokuror.
Nga kjo praktikë mund të kishin kuptuar më mirë kushtet dhe procedurat ligjore që janë ndjekur nga asokohe Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama (sot gjyqtare e Kolegjit të Posaçëm të Aeplit) dhe Presidenti i Republikës Bamir Topi. Por as i pandehuri e as avokatët e tij duket se nuk e kanë marrë mundimin, mbase duke ditur se e vërteta do t’u përplaset në fytyrë.
Nga një kërkim i thjeshtë që bëra më rezultoi se ligji për prokurorinë i miratuar në vitin 2001, lejonte emërimin në detyrën e prokurorit të juristëve që kishin një eksperiencë pune 3-vjeçare në akademi, administratën publike ose policinë gjyqësore, pavarësisht se nuk kishin kryer Shkollën e Magjistraturës. Në fakt po të qëmtosh në dokumentet publike në Nëntor 2008 kur Ols Dado u emërua prokuror kishte të paktën 9 vite punë në profesionin e juristit, nga të cilat 6 vite në administratë publike dhe 3 vite noteri (që për efekt ligji po ashtu konsiderohet nëpunës publik).
Nuk do shumë mend dhe doktrinë të stërholluar për të kuptuar që Ols Dado i plotësonte kriteret ligjore për t’u emëruar prokuror.
Pas emërimit iu është nënshtruar shumë filtrave institucionalë të gjitha të kaluara me sukses.
A i di i pandehuri Erion Veliaj dhe avokatët e tij këto? Sigurisht që po. Por, pasi dështoi me strategjinë e tij të sulmit dhe baltës mediatike, tani po përpiqet që nëpërmjet proceseve gjyqësore të ngrejë pikëpyetje mbi integritetin e prokurorit që e çoi pas hekurave.
Lodhesh kot Erion. Sepse edhe sikur ta marrim që ato që thua ti për Ols Dadon janë të vërteta, kjo nuk i zhbën akuzat ndaj teje dhe as të sjell lirinë. Sepse në çdo rast zotë të hetimit janë Kushtetuta dhe ligji dhe gardianë të tij në Prokurorinë e Posaçme janë dy prokurorët më me integritet dhe të ndershëm që ka vendi ynë, Altin Dumani dhe Ols Dado.
Por këto nuk i duron dot ti: integritetin dhe ndershmërinë, prandaj kushdo i ka e shpall armik dhe e sulmon me poshërsitë që të karakterizojnë.
Erion, ti po mban peng rreth 1 milionë qytetarë të Tiranës të cilët nuk qeverisen sot, ndaj para se ta përdorësh Bashkinë për interesa personale jep dorëheqje dhe përballu me faktin se ke përfshirë gjithë familjen në një skenë korruptive që veç faktit penal është e turpshme nga ana njerëzore.
