14 shkurti dhe sekretet psikologjike të dashurisë, Koromani: S’është çështje vitesh, ja çfarë duhet për të gjetur dashurinë

Në një botë ku pamja e jashtme dhe rinia e përjetshme duken si elementët kyç të suksesit në jetë dhe dashuri, një analizë psikologjike vjen për të rrëzuar këto mite nga psikologia Rudina Koromani.

E ftuar në një intervistë në “Ora News”, Koromani u shpreh se dashuria nuk është çështje vitesh apo rrudhash, por një kërkesë për kapacitet dhe pjekuri emocionale. Sipas saj, një individ mund të dashurojë në çdo moshë, mjafton të ketë brenda vetes dashurinë për jetën dhe aftësinë për ta dhënë e për ta marrë atë.

Koromani vë në dukje një prirje moderne ku njerëzit e reduktojnë veten në një “objekt marketingu”. Duke u përqendruar vetëm te përsosja fizike, ata e ofrojnë veten si një produkt për marrëdhënie sipërfaqësore, kryesisht seksuale. Kjo bie ndesh me thelbin e dashurisë së vërtetë, e cila, siç shpjegohet, nuk lidhet me trupin, por me shpirtin. Koromani në shpjegimin e saj përfshin dhënien pa kushte dhe ndjenjën e të qenit i dashuruar, diçka që kërkon maturim të brendshëm.

Një nga pengesat më të mëdha në kohët moderne është frika nga ndjenjat negative. Individët kanë frikë të dashurohen sepse nuk duan të përjetojnë emocione si xhelozia, inati apo qejfmbetja. Ata tërhiqen sapo nuk ndihen mirë, duke kërkuar një lumturi konstante dhe joreale.

Psikologia thekson se një individ i maturuar e kupton që një marrëdhënie e shëndetshme kalon përmes sfidave dhe se nuk është e mundur të ndihesh i lumtur 24 orë në 24.

Megjithatë, ekzistojnë modele pozitive. Çiftet e suksesshme arrijnë të krijojnë një “kod komunikimi unikal” vetëm për ta. Ata kuptojnë gjendjen emocionale të njëri-tjetrit edhe në heshtje, me një shikim të vetëm. Ky mirëkuptim i thellë dhe leximi i sinjaleve joverbale i ndihmon ata të shmangin konfliktet dhe të forcojnë lidhjen.

Ekzistenca e këtyre çifteve, sipas psikologes, është provë se dashuria e pjekur është e mundur dhe shërben si një model i vlefshëm për të tjerët.

Rrënjët e aftësisë për të dashuruar gjenden në fëmijëri. Një fëmijë i rritur në një mjedis me dashuri do të jetë në gjendje ta njohë dhe ta identifikojë atë më vonë në jetë.

Nga ana tjetër, ata që kanë vuajtur nga mungesa e dashurisë dhe vëmendjes janë më të rrezikuar të bien pre e marrëdhënieve të pashëndetshme, duke kërkuar dashuri kudo pa e dalluar nëse ajo është e vërtetë apo nëse po përdoren.

Kjo shpesh çon në lidhje varësie, kontrolluese apo obsesive, të nxitura edhe nga një “keqlexim” i dashurisë që promovohet nga rrjetet sociale, ku individi shfaqet si një imazh i përsosur dhe joreal.

PJESË NGA BISEDA NË STUDIO

Rudina Koromani: Dashuria është një, kërkon kapacitete emocional, nuk është çështje vitesh, nuk është çështje rrudhash, nuk është çështje vitesh. Individi mund të dashurojë në çdo vit, në çdo kohë, në çdo periudhë. Mjafton të ketë dashurinë brenda vetes. Dashurinë për jetën dhe kërkon që ta japi atë dashuri dhe ta marri atë dashuri.

Një nevojë njerëzore e patjetërsueshme në të gjitha kulturat, në të gjitha moshat. Çështja është që pjesa, disa herë shikojnë vetëm pjesën të trupore. Pra në kërkim të rregullimit të rrudhave, për të qenë perfekt edhe këtu është thjesht po ti po e sheh veten tënde si objekt dhe po e afron marketing si objekt. Po. Vetëm për, për marrëdhënie seksuale. Dikush që është në kërkim të dashurisë kërkon që të ndjehet i dashuruar, pra ta japi, ta hedhi pa kushte dhe të marri këtë pjesë, të ndjehet dhe kjo nuk ka të bëjë me pjesën e trupit, ka të bëjë me pjesën e shpirtit, se sa, si ndjehesh ti brenda dhe sa i maturuar je siç thashë, i cili, dhe kjo nuk është se nuk mund të vijë në moshën 20 vjeç, nuk është se ky maturim domosdoshmërisht mund të vijë në moshën e mesme dhe në moshën e rritur jo.

Përkundrazi ne bëjmë zgjedhje më të mira në moshë të mesme apo në moshë të pjekur? Por, kohët e sotme, individët po kanë frikë të dashurohen, po kanë frikë pikërisht nga këto emocionet negative, s'duan të përjetojnë këto emocionet negative, tremben shumë shpejt.

Nuk arrijnë t'i kalojnë si kufij ë, për të qëndruar në marrëdhënie. Nuk ndjehem mirë dhe largohem. Bëjnë një skemë shumë të thjeshtë si analizë. S'ndjehem mirë dhe nuk dua të ndjehem mirë, unë dua të ndjehem vazhdimisht mirë. E jo, nuk është një individ i maturuar e kupton që, ë, ti nuk mund të ndjehesh 24 orë mirë dhe happy dhe i lumtur. Do do përjetosh edhe ndjenjat e xhelozisë, do përjetosh edhe ndjenjat e inatit, qejfmbetjes, ato emocionet negative që t'i shkakton partneri sepse nuk bëri atë gjënë që ti the. Ë, sigurisht që disa çifte janë për t'u komplimentuar sepse krijojnë një komunikim, çifti ka nevojë të krijojë një komunikim. Një komunikim që është unikal për çiftin. Çdo çift, pavarësisht se sheh, ka modele të caktuara që nga prindërit e tyre apo nga librat, filmat, gjithçka që kanë parë apo lexuar, në vetvete çdo çift që dashurohet, krijon një kod komunikimi që është unik vetëm për atë çift. Dhe janë shumë të bukura ato çifte për t'u parë, të cilët komunikojnë dhe në heshtje dhe vetëm me një shikim, kuptojnë gjendjen emocionale të njëri-tjetrit, kuptojnë kërkesën apo paratinë e njëri-tjetrit dhe menjëherë, teksa nëse, nëse kemi një mirëkuptim të këtyre gjërave, kjo sjell edhe një mbarëvajtje. Pse? Sepse partneri tjetër, duke qenë se e kupton se çfarë po komunikon me një shikim partnerja, të them, nuk i pëlqen një situatë në tavolinë, ose ajo që po thotë, e ndal, pra merr vendime për të mos e mërzitur partnerin. Kjo është e vërtetë. Kemi lexim të sinjaleve.

Por, a janë të shumta apo janë në pakicë këto çifte?

Rudina Koromani: Për mua është e rëndësishme që ekzistojnë. Që themi që dhe në jetën tonë të përditshme na qëllon që takojmë çifte të tilla, i kemi në tavolina, në dreka, në darka apo në kafene. Secili nga ne ka arritur të shikojë. Kjo për mua është e rëndësishme, pra vetëm fakti që ekzistojnë, sepse ata japin ato modelet e mira për të mësuar. Sepse kërkojmë atë pjekurinë, atë kapacitetin emocional që unë fola. Ë, që mungon tek pjesa më e madhe. E duke qenë se jepet ky model herë pas here, unë them, shikoni se do t'i gjeni dhe mund t'i ndërtoni.

... apo e idealizojmë dashurinë përmes rrjeteve sociale?

Rudina Koromani: Jo idealizim, por do të thosha keqlexim? Sepse nëse flasim për pjesën duke qenë se objektivizohet pjesa, është objektivizuar pjesa e individit në mënyrën se si shfaqet në këtë pjesën e shfaqjes perfekte, këtu është, keqjepet ky modeli, nuk jepet ai modeli i vërtetë dhe i riu që e lexon nuk arrin ta përtypi ashtu siç duhet këtë pjesën e konceptit të dashurisë.

Dashuria mendoj që arrihet të kuptohet, pra varet si komponent që nga edukata që jep prindi, dashuria që jep prindi. Pra një fëmijë që vjen nga një familje që është rritur me dashuri dhe ka marrë dashuri, do arrijë ta identifikojë pjesën e dashurisë kur të jetë në marrëdhënie të tjera jashtë derës së shtëpisë.

Për të kuptuar që është apo jo pjesë e asaj që ai...

Rudina Koromani: Po, sepse e di se ç’është dashuria. Ama kujdes, sepse kemi dashuri me tepri, të pajustifikuar, nga këto sipërfaqësore, kemi nga ato dashuritë e vërteta. Këtu bëhet dhe diferenca pastaj?

Kemi dhe nga ata që nuk kanë marrë dashuri apo vëmendje, që kanë një dashuri të munguar, këto, këta individë do kenë predispozita dhe riskun për të, për të kërkuar dikë që i do, në kërkim të dikujt që i do, pa llogaritur që a e do ai individ vërtet, apo po e përdor, apo dhe këtu kemi ato shkaqet psikologjike të cilët na shtyjnë të bëjmë zgjedhje të gabuara.

Persona që kanë varësi, që krijojnë lidhje varësie, personat që krijojnë lidhje të pasigurta, personat që krijojnë lidhje ë, ngjitëse, kontrolluese, obsesive, kompulsive.