Honoré de Balzac: Lavdia e një shkrimtari, ah si katandiset…!
Një mbrëmje, në rrethin e miqve, Honoré de Balzac po ankohej për fatin e shkrimtarit. Jo për mungesë talenti apo për dështim krijues, këto nuk qenë kurrë problemet e tij, por për shpërblimin e pamjaftueshëm dhe kënaqësinë e mangët që jepte një mjeshtëri e ushtruar deri në rraskapitje. Letërsia, sipas tij, kërkonte gjithçka dhe kthente shumë pak.
— Po lavdia? — e ndërpreu dikush nga të pranishmit. — Lavdinë nuk e përmendët fare.
Balzaku buzëqeshi, një buzëqeshje ku ironia dhe lodhja bashkëjetonin si dy vëllezër të vjetër.
— Lavdia? Ah, po… Ta dini si katandiset lavdia e një shkrimtari…
Dhe nisi të tregojë një episod, i thjeshtë në dukje, por thellësisht zbulesor.
— Kur ndodhesha në Rusi, isha i ftuar në një sallon aristokratik. Sapo hyra, një zonjë elegante po shërbente çaj, me një tabaka plot filxhanë. Në atë çast, shërbëtori shqiptoi emrin tim me zë të lartë, “Zoti Balzac!”. Zonja ngriti sytë, më pa e tronditur dhe, nga emocioni, i rrëshqiti tabakaja nga duart. Filxhanët u copëtuan përdhe me një zhurmë cingëritëse. Ajo u skuq dhe nisi të më kërkonte ndjesë pa fund.
Balzaku heshti për një çast, pastaj shtoi me humor të thatë:
— E shihni? Kjo është lavdia e një shkrimtari, të thyhen filxhanët për të.
Në këtë batutë, që duket si një shaka salloni, fshihet një e vërtetë e hidhur për fatin e krijuesit. Lavdia e Balzakut ishte reale, e prekshme, madje tronditëse, aq sa t’i bënte duart të dridheshin një zonje aristokrate. Emri i tij ngjallte emocione, respekt, hutim. Por ajo mbetej një lavdi ceremoniale, një famë që shkëlqente në sallone dhe thyhej sapo prekte realitetin e jetës së përditshme.
Balzaku jetoi gjithë jetën nën peshën e kësaj kontradikte. Ai ishte një titan i letërsisë franceze, arkitekti i Komedisë Njerëzore, kronikani i pangopur i pasioneve, ambicieve dhe mjerimeve shoqërore. Por njëkohësisht ishte i përndjekur nga borxhet, nga kontratat e pafavorshme, nga një stil jete ekstravagant dhe nga një përkushtim i sëmurë ndaj punës, që e linte shpesh të rraskapitur e të zhgënjyer.
Në episodin e filxhanëve, përtej humorit të tij therës, lexohet edhe një nuancë trishtimi, fama e shkrimtarit është e brishtë, e zhurmshme dhe shpesh e padobishme. Ajo emocionon të tjerët, por nuk i shpëton autorët nga qiratë e papaguara, nga kreditorët këmbëngulës apo nga ankthi i nesërm.
Thuhet se pas këtij episodi, një nga të pranishmit iu afrua Balzakut dhe i tha me admirim:
— Shihni, zoti Balzac, çfarë ndikimi ka arti juaj!
Dhe ai, me një buzëqeshje të hidhur, u përgjigj:
— Po, por do të më pëlqente më shumë nëse ky ndikim do të më paguante qiratë e prapambetura dhe do të më shlyente borxhet që kam.
Kështu, Balzaku na lë një mësim të vyer, sipas të cilit, lavdia është shpesh një dekor i bukur mbi varfërinë praktike të shkrimtarit. Ajo bën zhurmë, shkakton emocion, thyen filxhanë, por rrallëherë mban shtëpinë në këmbë. Dhe ndoshta pikërisht kjo e bën ironinë e tij kaq të mprehtë, sepse ai e njihte lavdinë nga afër dhe e dinte se sa pak peshë kishte, kur duhej kthyer në bukë, qira dhe qetësi shpirtërore.
Përgatiti: Albert Vataj

