Mërzia si paralizë shpirtërore dhe patologji e qytetërimit modern
Erich Fromm në veprën e tij monumentale, "Dashuria për jetën" (Die Kunst des Lebens) prek një nga plagët më të thella të shoqërisë moderne, paradoksin e kohës dhe tjetërsimin e vetvetes.
Fromm, si një psikanalist humanist dhe filozof social, nuk e sheh mërzinë thjesht si një gjendje pasive, por si një patologji të qytetërimit teknologjik.
Fromm argumenton se mërzia nuk është thjesht mungesë aktiviteti, por pamundësia për të reaguar në mënyrë aktive ndaj botës.
Për Fromm, njeriu "i gjallë" është ai që prodhon (jo në kuptimin ekonomik, por në atë krijues). Kur njeriu humbet aftësinë për të menduar në mënyrë kritike, për të ndjerë thellë apo për të krijuar, ai bie në një gjendje paralize.
Mërzia si torturë. Ai e krahason mërzinë me qelinë e izolimit. Në izolim, njeriu përballet me "vakuumin" e tij të brendshëm. Nëse brendësia është bosh, mërzia bëhet një peshë dërrmuese që çon në depresion.
Pjesa më gjeniale e analizës së Fromm është shpjegimi se pse ne nuk e "ndjejmë" këtë torturë çdo ditë: ne kemi krijuar një industri të tërë për "vrasjen e kohës".
Konsumi si ikje. Alkooli, qetësuesit, mediat dhe seksi pa emocion përdoren si "anestezikë". Ne nuk po kënaqemi, ne po vetë-mjekohemi për të mos dëgjuar heshtjen e frikshme të shpirtit tonë.
Edhe sherret bashkëshortore apo aktivitetet e dendura sociale shpesh janë thjesht zhurmë për të mbuluar boshllëkun. Ne jemi në lëvizje të vazhdueshme, jo sepse kemi një qëllim, por sepse kemi frikë të ndalojmë.
Fromm nxjerr në pah një ironi tragjike të modernitetit, kur shprehet se, "Ne bëjmë gjithçka për të kursyer kohë dhe, kur e kemi kursyer atë, e vrasim."
Në epokën tonë, teknologjia (makinat, kompjuterët, inteligjenca artificiale) na premton të na kursejë orë të tëra pune. Por, pyetja që shtron Fromm mbetet, për çfarë na duhet kjo kohë e kursyer? Nëse nuk dimë të jemi në kontakt me veten, koha e lirë kthehet në një kërcënim. Prandaj, sapo kemi pesë minuta të lira, nxjerrim telefonin (në rastin e sotëm) ose ndezim televizorin, vetëm që të mos jemi "vetëm me veten".
Kur Fromm flet për "vrasjen e kohës", ai nënkupton humbjen e mundësisë për të qenë njerëzor. Koha është materia nga e cila përbëhet jeta. Të vrasësh kohën do të thotë të vrasësh një pjesë të ekzistencës sate. Ndjesia e "dehjes së dyfishtë" ose e dëshpërimit pas një filmi koti është vetëdija e vonuar se kemi humbur një copë jetë pa marrë asgjë në këmbim.
Për Fromm, zgjidhja kundër kësaj torture moderne nuk është më shumë argëtim, por rizbulimi i aktivitetit të brendshëm.
Të mësosh të rrish vetëm pa u ndjerë i vetmuar.
Të shndërrohesh nga një "konsumator i botës" në një "pjesëmarrës aktiv" në të.
Të kultivosh artin e të qenit, në vend të artit të të pasurit (apo të të dukurit).
Përgatiti: Albert Vataj

