Ti ke lindur vetja, jeto duke mos u përpjekur të jesh dikush tjetër

Unë jam vetja, dhe dashuroje atë, nëse do që të tjerët të duan. Dhe kjo nuk është një deklaratë krenarie, por një akt përgjegjësie, është të kuptuarit dhe të pranuarit me se je unike.

Sepse të jesh vetja nuk është gjëja më e lehtë në një botë që të kërkon vazhdimisht të jesh dikush tjetër. Është një sfidë që duhet ta fitosh për ta merituar atë që ti je.

Të jesh vetja do të thotë ta përfaqësosh atë që je, ta mbrosh dhe ta ruash, edhe kur përballë ke presionin e heshtur apo të zëshëm për t’u bërë si ata duan, vetëm që të duheni prej tyre.

Shumë njerëz rraskapiten shpirtërisht jo sepse nuk janë të denjë për dashuri, por sepse e kërkojnë atë duke u mohuar. Dashuria e kërkuar përmes ndryshimit të vetes nuk është dashuri, por një marrëveshje e brishtë, të dua vetëm nëse nuk je plotësisht ai që je. Dhe ky kusht, i pranuar një herë, fillon të gërryejë gjithçka që ke autentike brenda vetes.

Ne e dimë mirë këtë erozion. Ai nuk ndodh me zhurmë, por ngadalë. Fillon me kompromiset e vogla, me heshtjen atje ku duhet të flisje, me ndryshimin e qëndrimit, me zbutjen e bindjeve, me veshjen e një roli më të pranueshëm. Jo sepse e beson, por sepse shpreson të pranohesh. Dhe kështu, pak nga pak, vetja zbehet, hollohet, humb konturet, derisa bëhesh një version i paqartë i asaj që ishe.

Por të jesh vetja nuk është kokëfortësi, as arrogancë. Është ndershmëri. Është të thuash, kjo jam unë, pa kërkuar falje dhe pa u justifikuar. Është të kuptosh se nuk je i detyruar të përshtatesh me çdo pritshmëri, sepse jo çdo pritshmëri është e drejtë dhe jo çdo dëshirë e tjetrit është detyrë e jotja.

Të mbrosh veten do të thotë të pranosh se nuk do të pëlqehesh nga të gjithë. Dhe kjo nuk është humbje, por çlirim. Sepse refuzimi, në shumë raste, nuk është dështim personal, por dëshmi se po qëndron i palëkundur në atë që je. Se nuk ke pranuar të shndërrohesh për të blerë një miratim të përkohshëm.

Dashuria e vërtetë nuk lind nga imitimi, por nga përputhja. Ajo nuk kërkon që të zhdukësh veten, por që të jesh i pranishëm me të. Dhe njerëzit që dinë të duan nuk të kërkojnë të ndryshosh thelbin, por të sjellësh atë që je, me gjithë dritën dhe hijet e tua.

Në fund, mbetet kjo e vërtetë e thjeshtë dhe e vështirë njëkohësisht, nëse nuk e përfaqëson dhe nuk e mbron vetveten, askush tjetër nuk do ta bëjë këtë për ty. Dhe nëse e humb veten për t’u dashur nga të gjithë, do ta gjesh veten të pranuar, por jo të njohur; të dëshiruar, por jo të respektuar.

Unë jam vetja. Dhe detyra ime më e madhe në këtë jetë është të mos e braktis atë, vetëm sepse dikush tjetër do të donte të isha ndryshe.

Zoti të ka krijuar si ti je, në mënyrën më të mahnitshme, sipas shëmbëlltyrës së vet. Dhe kush paska të drejtë të përzihet në punët e krijuesit, sepse, duke të dashur si ai do, realisht nuk po kërkon dikë që ti ngjajë, por dikë që ta robërojë.

Ti ke lindur vetja, jeto duke mos u përpjekur të jesh dikush tjetër. Sepse vetëm kështu respektojmë vullnetin e krijuesit dhe përsosim veten tonë.

Nëse dëshiron të jesh dikush tjetër, se ti do, bëje, ndoshta do të mund të ia dalësh.

Përgatiti: Albert Vataj