Psikologia Loreta Caka: Për aq kohë sa kemi prindër “të pakohë”, kemi dhe fëmijë të palumtur

Profesioni i mësuesit nuk është thjesht mësimdhënie e numrave apo shkronjave, por një mision për të formuar qytetarë.

Është ky mesazhi i përcjellë në emisionin e kësaj të enjteje “Epiqendër” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Sonila Musai.

Duke marrë shkas nga rasti i shkollës në Prishtinë, ku një mësues u shfaq duke rrahur barbarisht një nxënës në ambientet e shkollës, duke çuar në pezullimin e tij, Psikologia Loreta Caka ngriti shqetësimin se sot kemi fëmijë të palumtur.

Mungesa e sigurisë ekonomike i shtyn prindërit drejt punës së tepërt, duke lënë një boshllëk që mbushet nga telefonat inteligjentë.

Kjo teknologji, e kombinuar me informacionin e pafiltruar, po krijon një brez të izoluar.

Diskutimi thekson se edukimi nuk është thjesht rritje fizike, por kërkon kohë dhe përkushtim emocional që shpesh mungon në zonat urbane dhe rurale.

“Kemi sot fëmijë shumë të palumtur. Fëmijët sot nuk dinë të luajnë me lodra, nuk dinë të mblidhen në lagje dhe të bëjnë një lojë. Nga ana tjetër shikon prindër që janë gjithmonë vonë dhe kanë gjithmonë diçka për të bërë përveç kohës që mund t’i kushtojnë fëmijëve të tyre.

Të bësh një fëmijë është shumë kollaj, ta rrisësh dhe ta edukosh atë është gjëja më e vështirë dhe përgjegjësia më e madhe që çdo prind duhet të ketë.

Mund të fajësojmë një mësues, një psikolog, por çdo gjë lind nga dashuria që ata prindër i falin fëmijës së tyre.

Nëse ti si prind i tregon se si t’i menaxhojë emocionet, i tregon deri ku i ka limitet e veta, i thua kush është e mirë e kush është e keqja, ti ke bërë më shumë se gjysmën e punës dhe çdo gjë thjeshtohet si në shkolla, apo në ambientet e tjera.

Për aq kohë sa kemi prindër “të pakohë”, kemi dhe fëmijë të palumtur”, u shpreh ndër të tjera psikologia Loreta Caka.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR” NË “ORA NEWS”