“GJENERATA Z”/ Avokatja Marku: Ata që bëhen mësues nuk bëjnë asnjë trajnim se si duhet të sillen në shkolla
Profesioni i mësuesit nuk është thjesht mësimdhënie e numrave apo shkronjave, por një mision për të formuar qytetarë.
Është ky mesazhi i përcjellë në emisionin e kësaj të enjteje “Epiqendër” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Sonila Musai.
Duke marrë shkas nga rasti i shkollës në Prishtinë, ku një mësues u shfaq duke rrahur barbarisht një nxënës në ambientet e shkollës, duke çuar në pezullimin e tij, avokatja Aurora Marku tërhoqi vëmendjen se dhuna në shkollat e Tiranës është një fenomen i përjavshëm, shpesh i fshehur.
Një pikë kyçe e diskutimit është ekspozimi i fëmijëve ndaj dhunës mediatike.
Marku theksoi se, në vend që të dëgjojnë për lodra apo ngjarje të gëzuara, fëmijët shqiptarë hapin sytë me lajme për vrasje, arrestime dhe SPAK.
Kjo “ngopje” me negativitet, tha ajo, bën që e keqja të zërë vend shpejt në psikikën e tyre, ndërsa politikat e sigurisë në shkolla shpesh reduktohen në roje që nuk kanë kapacitetin fizik apo profesional për të ndërhyrë në konflikte reale.
“E spostova vëmendjen nga rasti në Kosovë dhe e solla në Shqipëri, pasi fenomeni i dhunës nëpër shkolla të them të drejtën të paktën në Tiranë, është një fenomen që ndodh thuajse çdo javë. Janë raste që thjesht nuk bëhen mediatike dhe që nuk denoncohen.
Asnjë dhunë nuk duhet falur. Me denoncimin vijon dhe sensibilizimi për rastet e tjera.
Ndryshimi i brezave bën të sajin, kemi që ata që bëhen mësues nuk bëjnë kurrë asnjë trajnim se si duhet të sillen konkretisht në shkolla dhe teksa rrjetet sociale janë bërë të frikshme këta mësues apo profesorë të rinj mbesin me atë çfarë kanë mësuar si studentë dhe ndryshimi i gjeneratave, si kjo që ne e quajmë “Gjenerata Z” janë një brez vullkani dhe të mirinformuar dhe janë të vështirë për t’iu menaxhuar”, u shpreh ndër të tjera avokatja Aurora Marku .
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR” NË “ORA NEWS”

