Durrës/ Shpërdorim detyre dhe lëndë narkotike, një i arrestuar dhe disa të proceduar
Në Durrës ka vijuar operacioni “Eko Toxic”, ku policia ka arrestuar një 37 vjeçar, i shpallur më parë në kërkim për shpërdorim detyre.
Ai ishte në kërkim pas një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë arrest në burg.
Policia njofton se puna vijon për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë çështje.
Gjatë kontrolleve në lagjen numër 13 në Durrës, një 38 vjeçar u procedua në gjendje të lirë pasi iu gjet një sasi lënde narkotike e llojit cannabis sativa, e cila u sekuestrua.
Një tjetër shtetas u procedua në gjendje të lirë pasi dyshohet se ka kanosur një person tjetër me mjet prerës për motive të dobëta.
Në zonën e Plazhit në Durrës u procedua në gjendje të lirë një shtetas për ndërtim të paligjshëm, ndërsa në Kavajë një 55 vjeçar u procedua për shpërdorim të tokës.
Mbrëmjen e 11 shkurtit, në Golem, ka rënë zjarr në një automjet. Nga ngjarja janë shkaktuar vetëm dëme materiale dhe po punohet për të përcaktuar shkakun e zjarrit.
Ndërkohë, 29 vjeçarja e cila ishte larguar nga banesa një ditë më parë është gjetur dhe është kthyer pranë familjes, në gjendje të mirë shëndetësore.
Materialet janë referuar në Prokurorinë e Durrësit për veprime të mëtejshme.

