Seri vjedhjesh në Vorë/ Policia arreston 31-vjeçarin, shpallet në kërkim bashkëpunëtori

Në Vorë është finalizuar operacioni policor i koduar “Midnight”, pas disa kallëzimeve për vjedhje dhe tentativa vjedhjeje në biznese.

Gjatë operacionit u arrestua një 31 vjeçar dhe u shpall në kërkim një 35 vjeçar, të dy banues në Vorë.

Nga veprimet hetimore rezulton se gjatë muajit shkurt, dy të dyshuarit kanë vjedhur para dhe produkte në tre subjekte tregtare, si dhe kanë tentuar të vjedhin në dy subjekte të tjera në zonën e Vorës.

Vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera ku mund të jenë të përfshirë.

Në vijim të veprimeve, është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe babai i të arrestuarit, 59 vjeç, pasi gjatë kontrollit iu gjet një shkop gome i ngjashëm me mjetet që përdor policia, i cili u sekuestrua si provë materiale.

Materialet janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.