Shkrimtarët shqiptarë bashkohen në “Forumin 26”, Çapaliku: Me shpresë se do na bashkohen të tjerë kolegë

Një nismë e re e quajtur “Forumi 26” synon të bashkojë shkrimtarët shqiptarë nga të gjitha territoret dhe diaspora, duke krijuar një hapësirë të përbashkët letrare që e ka atdhe gjuhën shqipe. E themeluar nga një grup autorësh, mes të cilëve edhe profesor Stefan Çapaliku dhe shkrimtari Durim Taçi, nisma kërkon të ngrejë zërin për letërsinë në një kohë kur ajo ndihet e lënë në harresë dhe e mbytur nga zhurma politike.

I ftuar mbrëmjen e kësaj të marte në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News”, profesor Çapaliku, theksoi se letërsia shqipe shpesh ka mbetur në marxhinat e vëmendjes publike, e zënë nga politika, protestat dhe dhuna.

Kjo situatë ka bërë që shkrimtarët të ndihen gjithnjë e më të parëndësishëm dhe të izoluar, “si ishuj të vetmuar”.

Stefan Çapaliku: "Unë po i përgjigjem shkurt se, të them të drejtën, siç thonë latinët, “Inter arma silent musaf”, të vish këtu të flasësh për letërsinë mbas një bisede që bëhet për protestat dhe për viktimat që përfundojnë në spital e të tjera e të tjera.

Kështu që, për fatin e keq gjithmonë letërsia shqipe, të paktën e këtij një shekulli ka pasur pak hapësirë, për shkakun se hapësirën kryesore e ka zënë gjithmonë politika, e kanë zënë demonstratat, e ka zënë rruga, e ka zënë dhuna.

E, kjo ka bërë që gjithmonë letërsia të shkojë në marxhinat e vëmendjes publike dhe shkrimtari të ndjehet përherë më i parëndësishëm, përherë më i vetmuar, përherë një person Vox Clamantis in Deserto, një person që është një zë i vetëm në shkretëtirë. Dhe, kjo rrëkollë, rrëkolla e situatave sociale në Shqipëri, gjithmonë na ka flakë jashtë, na ka nxjerrë jashtë sistemit. Kështu që, ka mbërritur një moment kur kemi menduar me një grup miqsh, me një grup kolegësh, që të jemi bashkë, të mos jemi më ishuj të vetmuar edhe të krijojmë fillimisht një shoqatë me emrin “Forum 26”, sepse jemi themeluar në 2026-ën, dhe kjo është arsyeja.

Është krejt e thjeshtë domethënë simbolika. Dhe me shpresën se ne do na bashkohen edhe plot kolegë të tjerë, të cilët për momentin ne s'kemi pasur mundësi me i pasur në grupin themelues, sepse gjithmonë është një grup i vogël, i cili merr nismën".

BASHKIMI

“Forumi 26” lindi pikërisht si një nevojë për t’u mbledhur bashkë, për të krijuar një zë kolektiv që flet “përmes fjalëve” dhe ndikon në diskursin publik e politik.

Ndonëse ngjall asociime me Lidhjen e Shkrimtarëve të së kaluarës, nismëtarët theksojnë se thelbi i këtij forumi është krejtësisht i ndryshëm. Vizioni i tyre është që atdheu i letërsisë shqipe nuk është territori, por gjuha. Ky koncept synon të bashkojë krijimtarinë letrare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora, e cila po përjeton një “eksplodim të jashtëzakonshëm” krijimtarie.

Një nga objektivat kryesore të Forumit është nxitja e krijimit të një tregu të përbashkët të librit. Aktualisht, ky treg është i fragmentuar dhe përballet me barriera konkrete. Përfaqësuesit e Forumit vënë në dukje se një libër i botuar në Tiranë vështirë se gjendet në Prishtinë dhe anasjelltas, ndërsa librat nga Kosova hasin vështirësi edhe më të mëdha për të depërtuar në tregun e Shqipërisë. Për më tepër, pengesa si taksat doganore për librin mes dy vendeve dhe mungesa e politikave të koordinuara shtetërore e vështirësojnë qarkullimin e lirë të letërsisë.

“Forumi 26” nuk pretendon të krijojë vetë tregun, por të ndikojë përmes fjalës dhe avokatisë. Kjo përfshin pjesëmarrjen në dëgjesa publike për ligjet e librit, promovimin e standardeve profesionale si prania e redaktorëve të licencuar në shtëpitë botuese dhe integrimin e letërsisë shqipe në platformat ndërkombëtare si Amazon, ku aktualisht mungon.

Në thelb, ambicia e kësaj nisme është që çdo autor shqiptar, në momentin që hedh fjalinë e parë, ta ndiejë veten pjesë e një bote letrare të unifikuar dhe në konkurrencë me letërsinë globale, duke kapërcyer kështu kufijtë fizikë dhe mendorë që e kanë mbajtur të ndarë për një kohë të gjatë.