Shkrimtarët në “Forumin 26”, Taçi: Letërsinë e bën bashkë gjuha, jo territori

Një nismë e re e quajtur “Forumi 26” synon të bashkojë shkrimtarët shqiptarë nga të gjitha territoret dhe diaspora, duke krijuar një hapësirë të përbashkët letrare që e ka atdhe gjuhën shqipe. E themeluar nga një grup autorësh, mes të cilëve edhe profesor Stefan Çapaliku dhe shkrimtari Durim Taçi, nisma kërkon të ngrejë zërin për letërsinë në një kohë kur ajo ndihet e lënë në harresë dhe e mbytur nga zhurma politike.

I ftuar mbrëmjen e kësaj të marte në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News”, shkrimtari Durim Taçi, theksoi se me forumin “duam të krijojmë idenë dhe besimin te vetja jonë dhe në publik se letërsinë e bën bashkë gjuha, jo territori”.

Kjo situatë ka bërë që shkrimtarët të ndihen gjithnjë e më të parëndësishëm dhe të izoluar, “si ishuj të vetmuar”.

Durim Taçi: Po problemi është se ne duam të krijojmë idenë dhe besimin te vetja jonë dhe në publik se letërsinë e bën bashkë gjuha, jo territori. Pra, atdheu i letërsisë tonë është gjuha shqipe. Dhe kjo gjë , ky koncept kurrë nuk ka prevaluar në diskursin letrar apo kritik, apo edhe politik shqiptar.

Pra, duke parë se, se kemi një pjesë të letërsisë që zhvillohet në, në atë që quhet Shqipëri zyrtare, një pjesë të letërsisë që zhvillohet në Republikën e Kosovës, një pjesë tjetër të atë të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi, dhe çka është më e rëndësishmja tashmë në diasporë, që ka një eksplodim të jashtëzakonshëm, atëherë, koncepti shkrimtar shqiptar, koncepti letërsi shqipe është ku e ku më i gjerë sesa ai që na është servirur deri tani, veçanërisht brezave të rinj, veçanërisht nxënësve, e të tjera e të tjera, që ju është servirë deri më tash.

BASHKIMI

“Forumi 26” lindi pikërisht si një nevojë për t’u mbledhur bashkë, për të krijuar një zë kolektiv që flet “përmes fjalëve” dhe ndikon në diskursin publik e politik.

Ndonëse ngjall asociime me Lidhjen e Shkrimtarëve të së kaluarës, nismëtarët theksojnë se thelbi i këtij forumi është krejtësisht i ndryshëm. Vizioni i tyre është që atdheu i letërsisë shqipe nuk është territori, por gjuha. Ky koncept synon të bashkojë krijimtarinë letrare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora, e cila po përjeton një “eksplodim të jashtëzakonshëm” krijimtarie.

Një nga objektivat kryesore të Forumit është nxitja e krijimit të një tregu të përbashkët të librit. Aktualisht, ky treg është i fragmentuar dhe përballet me barriera konkrete. Përfaqësuesit e Forumit vënë në dukje se një libër i botuar në Tiranë vështirë se gjendet në Prishtinë dhe anasjelltas, ndërsa librat nga Kosova hasin vështirësi edhe më të mëdha për të depërtuar në tregun e Shqipërisë. Për më tepër, pengesa si taksat doganore për librin mes dy vendeve dhe mungesa e politikave të koordinuara shtetërore e vështirësojnë qarkullimin e lirë të letërsisë.

“Forumi 26” nuk pretendon të krijojë vetë tregun, por të ndikojë përmes fjalës dhe avokatisë. Kjo përfshin pjesëmarrjen në dëgjesa publike për ligjet e librit, promovimin e standardeve profesionale si prania e redaktorëve të licencuar në shtëpitë botuese dhe integrimin e letërsisë shqipe në platformat ndërkombëtare si Amazon, ku aktualisht mungon.

Në thelb, ambicia e kësaj nisme është që çdo autor shqiptar, në momentin që hedh fjalinë e parë, ta ndiejë veten pjesë e një bote letrare të unifikuar dhe në konkurrencë me letërsinë globale, duke kapërcyer kështu kufijtë fizikë dhe mendorë që e kanë mbajtur të ndarë për një kohë të gjatë.