Reforma që nxori "gjyqtarë" që nuk kishin provuar kurrë peshën e firmës si jurist

Milioner nga prindërit ish-pronarë, por që gjatë regjimit kishin arritur të maskoheshin aq mirë si komunistë, saqë i ati arriti të bëhej sekretar i parë i Tiranës.

Kështu të maskuar e shtynë deri në vitin '91, se pastaj e rigjetën identitetin e ish-pronarit. Si tregtarë rrace, familja Ibrahimi kulmin e arriti kur arritën të privatizonin edhe një super vendstrehim pothuaj në mes të ish-Bllokut. Nuk duket se ku është sot, sepse ka pallat mbi të.

Ibrahimi Junior ka mbaruar arsimin e lartë juridik në vitin '91. Si djalë i babait që ishte, mos u ndalni kot të shqyrtoni listën e notave. Kishte baba çun!
Dita e parë e punës figuron si themelues OJQ. Nga ato që sot thirren OJF!

Jeta e Ibrahimit junior, kaloi mes fondesh projektesh. Firma hidhej vetëm kur kërkoheshin projektet dhe sigurisht kur arkëtoheshin pagesat.

Askush nuk e di se sa duhet te ishte rroga si pronar OJQ-je që të mund të blije një super vilë atje ngjitur me TEG.
Punë me projekte, do të thotë asnjë përgjegjësi për produktin! Asnjë peshë për suksesin ose dështimin! Asnjë kontakt me aplikimin dhe zbatimin e ligjit! As të atyre për të cilat paguhej si ekspert dhe edhe më pak të të tjerave që s'u binte radha të lexoheshin.

Vazhdoi kështu deri ditën që u "përzgjodh" si ekspert i nivelit të lartë i reformës në drejtësi. E zgjodhi Fatmir Xhafaj, Rama, ose të dy bashkë. Pastaj Xhafaj, Rama ose të dy bashkë, ja shtruan rrugën drejt kryesimit të KLP e më pas drejt Gjykatës Kushtetuese.

Do e kishin bërë edhe kryetar të gjykatës sikur mos i dilnin ca llafe për punë noçke brenda ndërmarrjes.

Tani a mund ta kuptojmë kujt i qahet Rama për këta që sot duhet t'i ndajnë shapin nga sheqeri, SPAK-un nga GJKKO, drejtësinë nga ekzekutivi, pezullimin nga shkarkimi etj etj? Po Fatmir Xhafaj e dini gjë ku ka humbur? Apo ka marrë metrin e po mat oborret e gjykatave?
Njoftojeni që Rama po kërkon fajtorët! Mbase një herë në jetë, del dhe i vë gjoksin topit.

Një herë vdes burri! Ai që është burrë sigurisht!/CNA