Shqipëria nën ujë/ Si dështimi institucional shndërron reshjet në katastrofa
Qeveria ka shpenzuar miliarda lekë gjatë dekadave të fundit për dëmshpërblime dhe masa parandaluese kundër përmbytjeve, por investimet sistematike paraprake mbeten të pamjaftueshme.
Vetëm për vitin 2026, qeveria ka planifikuar një fond prej 2.8 miliardë lekësh, ku 500 milion lekë do të shkojnë për kompensimin e qytetarëve të prekur, 500 milion lekë për përforcimin e infrastrukturës mbrojtëse, 1.5 miliard lekë për projekte parandaluese dhe 300 milion lekë për digat dhe rezervuarët.
Sipas ekspertëve, një menaxhim i mirë i infrastrukturës dhe investime të parakohshme do të kishin minimizuar shpenzimet dhe dëmet ekonomike, duke kursyer një pjesë të konsiderueshme të 2.5 miliardë dollarëve që vendi ka humbur nga përmbytjet në tre dekadat e fundit.
Janari i këtij viti solli përmbytje masive që prekën mbi 13 mijë hektarë tokë dhe 1587 banesa. Rreshjet e pazakonta detyruan shpalljen e emergjencës në shumë qytete, ndërsa kryeministri Edi Rama e justifikoi situatën me intensitetin e jashtëzakonshëm të shiut, ndërsa nënvizoi se mbrojtja ekzistuese e kanaleve kulluese dhe hidrovorëve kishte parandaluar pasoja më të rënda, duke theksuar edhe ndikimin e mbetjeve urbane në bllokimin e rrjedhave të ujit.
Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se përmbytjet nuk janë vetëm pasojë e reshjeve të shiut, por edhe e degradimit të infrastrukturës mbrojtëse, urbanizimit të pakontrolluar dhe mosmirëmbajtjes së kanaleve dhe hidrovorëve.
Ekspertët dhe organizatat e shoqërisë civile nënvizojnë nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse dhe transparente, ku përgjegjësitë e institucioneve për mirëmbajtjen e infrastrukturës mbrojtëse nuk mund të shmangen, pasi vetëm fajësimi i qytetarëve për mbeturinat nuk shpjegon dëmet kolosale të përmbytjeve.

Janari i këtij viti solli përmbytje masive në Shqipëri, duke përfshirë mbi 13 mijë hektarë tokë dhe 1587 banesa të përmbytura. Rreshjet detyruan qeverinë të shpallë emergjencën civile në shumë qytete, duke dërguar në terren me mijëra policë, zjarrfikës dhe ushtarakë.
Zonat më të prekura ishin Durrësi, Laçi, Kukësi dhe fshatrat përgjatë lumit Vjosë në Qarkun Vlorë, ku infrastruktura e dobët dhe mbeturinat e bllokuara përkeqësuan situatën, duke rrezikuar banorët dhe pronat.
Kryeministri Edi Rama e justifikoi situatën me intensitetin e jashtëzakonshëm të shiut, ndërsa nënvizoi se mbrojtja ekzistuese e kanaleve kulluese dhe hidrovorëve kishte parandaluar pasoja më të rënda, duke theksuar edhe ndikimin e mbetjeve urbane në bllokimin e rrjedhave të ujit.
“Sigurisht që kur i hedhim plehrat e shishet plastike nëpër fusha e në anët e rrugëve të atdheut që e duam vetëm në stadium, vjen një ditë shiu me gjyma që i mbledh nga janë e nga s’janë dhe i dynd në det, po kur pastaj shiu është aq i furishëm sa ky i fundit, atëherë nuk e arrinë dot detin si zakonisht sepse gryka e kanalit taposet krejt, duke përmbytur dynjanë…,” – shkruante kryeministri në platformën X.
Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se përmbytjet në Shqipëri nuk shkaktojnë pasoja për shkak të qytetarëve të papërgjegjshëm, por nga degradimi i kanaleve kulluese, argjinaturave dhe hidrovorëve, urbanizimi i pakontrolluar dhe mosmirëmbajtja e infrastrukturës mbrojtëse. Mungesa e investimeve ka bërë që çdo vit reshjet të shkaktojnë jo vetëm viktima, por edhe miliona euro dëme në ekonomi.
Sipas auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), vendi ka përjetuar të paktën 8 përmbytje masive në 30 vitet e fundit, duke mbuluar deri në 80 mijë hektarë tokë bujqësore me ujë dhe duke shkaktuar pasoja të konsiderueshme në prodhimtarinë bujqësore dhe të ardhurat e fermerëve, të cilët e sigurojnë jetesën vetëm duke punuar tokën.
Referuar Auditimit të publikuar në vitin 2025, përmbytjet më të rënda ishin ato të vitit 1995, për të vijuar me vitin 2002 me rreth 7,500 familje të prekura në Lezhë e Milot. Dy vite më vonë, e njëjta situatë u përsërit në fshatrat përgjatë lumit të Drinit e të Bunës, ndërsa në Dhjetor të 2005 Vjosa doli nga shtrati, për t’i lënë rradhën sërish përmbytjeve në Veri të viteve 2010-2011, të cilat sollën evakuimin e 12 mijë qytetarëve shqiptarë në zonën e Shkodrës. Autoritetet sërish nuk morrën asnjë masë, ç’ka solli që në dy vitet pasardhëse, vetëm nga përmbytjet u dëmtuan 5409 shtëpi të ndërtuara përgjatë rrjedhës së Vjosës.
Më pas, në vitin 2021 dhe 2024 zonat më të prekura nga përmbytjet ishin Lezha, Shkodra dhe Vlora me rrugë të bllokuara, mijëra hektarë tokë nën ujë dhe qindra biznese e banesa të shkatërruara.
Gjithashtu, në raport evidentohet qartë se shkak i përmbytjeve nuk janë vetëm shirat e dendur.
“Urbanizimi dhe ndërhyrjet njerëzore nga njëra anë, degradimi natyror i veprave nga ana tjetër, kanë bërë që shumë prej veprave mbrojtëse të jenë jashtë funksionit apo gjysmë funksionale, në një mjedis ku frekuenca, ashpërsia dhe vendodhjet e përmbytjeve po rriten,” – thuhet në auditimin e KLSH, kur i referohet situatës në kontekstin kombëtar.
Sipas ekspertit Imeldi Sokoli, infrastruktura e mbrojtjes në rast të përmbytjeve ka një sërë problematikash, nga kanalet kulluese e deri tek argjinaturat lumore e hidrovoret.
“Infrastruktura e mbrojtjes nga ujërat shfaq probleme në pika të ndryshme të saj, siç janë kanalet kulluese, nga kanalet e 3-ta deri tek kanalet e para, po ashtu argjinaturat lumore si dhe hidrovorët,” – tha Imeldi Sokoli për “shteg.org”.

Lagjet kryesore të Vlorës u pushtuan nga uji dhe banorët u detyruan të evakuohen. Përmbytja preku lagjet në rrugën “Albano & Romina” dhe ato pranë kishës Ortodokse, ndërsa infrastruktura e qytetit doli e paaftë për të përballuar situatën.
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregon se përmbytja e vitit 2024, e cila u përsërit në 2026, ishte rezultat i dështimit institucional dhe moszbatimit të detyrimeve ligjore nga institucionet vendore dhe qendrore.
Bashkia e Vlorës nuk dispononte dokumentacion të plotë teknik për infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit në territorin e saj; mungonin hartat e përditësuara, planvendosjet, profilet teknike dhe të dhënat mbi kapacitetet reale të kanaleve dhe hidrovorëve.
Kontrollorët konstatuan se kanalet kulluese nuk ishin mirëmbajtur dhe pastruar në mënyrë të herëpashershme, ndërsa inspektimet teknike kishin qenë sporadike dhe kryesisht formale, edhe pse zonat e përmbytura njiheshin prej vitesh për riskun e lartë.
Nga 15 kanalet e Vlorës, 13 për ujërat e zeza dhe 2 për ujrat e bardha, shumica nuk ishin pastruar për më shumë se 30 vite, duke ulur ndjeshëm kapacitetet kulluese.
Raporti thekson se kjo gjendje bëri që edhe reshjet mesatare të shkaktonin përmbytje të përsëritura, ndërsa ndërhyrjet e realizuara nuk kishin studime hidroteknike të mjaftueshme dhe qasja institucionale ishte kryesisht reaktive.
KLSH ka konstatuar mungesë të kapaciteteve profesionale për hartimin e projekteve parandaluese dhe qasja institucionale ka qenë vetë pas përmbytjeve.
“Mospastrimi i kanaleve të hapura është shkaku kryesor për përmbytjen e datës 04.10.2024, pasi janë arteriet kryesore të kullimit të rreshjeve për relievin e qytetit. Disa nga këto kanale janë të papastruar mbi 30 vite dhe janë të bllokuar nga avulionet dhe mbeturinat e ndryshme,” – shprehet në Raportin e Auditimit sipas të cilit ndërhyrjet e realizuara kanë qenë pa studime të mirëfillta hidroteknike dhe klasifikon përmbytjen si një fenomen të përsëritur.
Pas auditimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit la një sërë detyrash për Bashkitë Vlorë dhe Fier, duke nisur nga marrja e masave të menjëhershme në infrastrukturë e kullimit, sigurimi i dokumentacionit teknik, pastrimi periodik i kanaleve e deri tek hartimi i projekteve të plota për zonat që përmbyten vazhdimisht.
Megjithatë, shirat e fillimvitit 2026 sollën përsëri përmbytje në Vlorë. Lagjet kryesore të qytetit bregdetar u mbushën me ujë dhe banorët u detyruan të evakuohen, duke treguar se shumë nga rekomandimet e KLSH-së nuk ishin zbatuar.
Bashkia e Fierit në komentet që dha për “shteg.org” ia delegoi përgjegjësinë Ministrisë së Bujqësisë, duke thënë se ajo bashki nuk ka asnjë informacion lidhur me rekomandimet, ndërsa Bashkia e Vlorës, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk komentoi as gjetjet e KLSH-së, por as pyetjet e ngritura nga redaksia.
Ndërkohë që dokumentet shtetërore tregojnë paaftësinë menaxhuese të pushtetit vendor, kryeministri ofroi një tjetër zgjidhje për situatën e krijuar nga përmbytjet.
Ai njoftoi ngritjen e një flote të dedikuar për mirëmbajtjen dhe pastrimin e infrastrukturës kulluese, që do të financohej nga një fond prej 20 milionë eurosh i dhënë nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Për më tepër, Rama premtoi dëmshpërblim për të gjithë familjet e prekura, duke theksuar se planin e kompensimit e kishte gati dhe pritej vetëm vlerësimi i plotë i dëmeve.
Por, nuk harroi të rikthehej te “çështja e plastikës”, të cilën e quajti kriminale dhe kërcënuese për mjedisin:
“Unë nuk e di fare sinqerisht se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull! Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste janë të frikshme, janë të neveritshme, janë kriminale.” – deklaroi Rama.
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregon se për vetëm tre dekada, vendi ka humbur përafërsisht 2.5 miliardë dollarë nga përmbytjet, duke nënvizuar se shpenzimet për masa parandaluese do të kishin qenë shumë më të ulëta.
“Vetëm në vitet e demokracisë, humbjet ekonomike të shkaktuara nga përmbytjet përllogariten në rreth 2.5 miliardë dollarë. Pra, kushton më lirë masa paraprake investuese për parandalimin e përmbytjeve se sa pritja e ndodhjes së tyre dhe më pas marrja e masave riparuese dhe eliminimi i pasojave,” – thekson auditimi i KLSH-së.
Nga ana tjetër, edhe pse qytetarët kanë humbur investime të viteve të tëra pas vetëm disa orëve me shi, drejtësia ka regjistruar vetëm dy hetime, duke treguar se “fajtor” nuk mund të shpallet vetëm moti.
Mijëra banorë ishin dëshmitarë kur uji po iu shkatërronte pasuritë dhe mundin e jetës. Dëme bujqësore të parikuperueshme, shtëpi të shkatërruara plotësisht dhe biznese të rrënuara, ndërsa shumë qytetarë u detyruan të evakuoheshin, duke lënë pas sendet më të çmuara. Të ndodhur në këto kushte, sytë e tyre u kthyen drejt qeverisë, duke pritur që ajo të përmbushë premtimet për dëmshpërblime.
Për vitin 2026 Qeveria ka planifikuar një fond prej 2.8 miliardë lekësh për mbrojtjen civile dhe për masat parandaluese kundër fatkeqësive natyrore.
500 milionë prej tyre do të shkojnë për kompensimin e qytetarëve të prekur ndërsa 500 milionë të tjera për investime në infrastrukturën mbrojtëse.
1.5 miliard lekë të tjerë do të financojnë projekte parandaluese për fatkeqësitë natyrore, ndërsa 300 milion lekë do të shkojnë direkt në digat dhe rezervuarët për të forcuar mbrojtjen e zonave të rrezikuara.
Sipas kryeministrit Edi Rama, ky fond do të përdoret për të reduktuar rreziqet në të ardhmen. E paqartë mbetet, megjithatë, përse këto fonde aktivizohen vetëm pas dëmeve dhe jo si investim paraprak.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës deri në publikimin e shkrimit nuk sqaroi programet e qeverisjes mbi infrastrukturën dhe as mënyrën se si do të menaxhohen fondet për të cilat foli kryeministri.
Por sipas ekspertit të mjedisit, Imeldi Sokoli, Shqipëria, krahasuar me vendet e rajonit, mbetet ndër shtetet që investon më pak në parandalimin e fatkeqësive.
“Shqipëria në vendet e rajonit është ndër ato që financon më pak për përmirësimin e infrastrukturave mbrojtëse dhe për të parandaluar përmbytjet. Për ta përmirësuar këtë do të duhej një plan operacional investimesh në nivel kombëtar,” – thotë Imeldi Sokoli, sipas të cilit nëse infrastruktura përkatëse do të funksiononte si duhet, përmbytjet e Janarit do të ishin të evitueshme:
“Sasitë e shiut që kanë rënë kohët e fundit janë në terma mesatar, dhe me mirëfunksionimin e infrastrukturës, përmbytjet mund të ishin plotësisht të evitueshme,” – shpjegon Sokoli.
Ndërkohë, qytetarët e prekur presin për 500 milionë lekët e premtuara, Komiteti Shqiptar i Helsinkit doli me një deklaratë për shtyp ku kërkonte transparencë dhe objektivitet në procesin e vlerësimit të dëmeve dhe dëmshpërblimit të banorëve të prekur nga përmbytjet.
Organizata thekson se shumë familje nuk kanë marrë informacion të qartë mbi procedurat dhe kërkon që komisionet e vlerësimit të funksionojnë mbi bazën e barazisë dhe transparencës. Sipas deklaratës së Komitetit, për të arritur në një konkluzion objektiv duhet të analizohen roli dhe përgjegjësitë e institucioneve që mirëmbajnë infrastrukturën kulluese dhe mbrojtëse, duke shmangur fajësimin vetëm të qytetarëve.
Ligji për vetëqeverisjen vendore përcakton qartë se bashkitë janë përgjegjëse për menaxhimin e ujërave të shiut, mbrojtjen nga përmbytjet, mirëmbajtjen e infrastrukturës dhe trajtimin e mbetjeve, por edhe këtë herë fajësia i hidhet qytetarëve, të cilët çdo vit shpresojnë që moti mos t’i “dënojë.”
Eksperti Sokoli shton se përpjekja për të devijuar përgjegjësinë tregon edhe dështimin në menaxhimin e situatës:
“Orientimi i narrativës për të hequr përgjegjësinë shfaq edhe dështimin në menaxhimin e situatës. Ku aktori kryesor në këtë rast janë institucionet, të cilat duhet të zhvillojnë edhe aksione ndërgjegjësimi për mirëmbajtjen komunitare.”.
Përmbytjet përbëjnë përqindjen më të lartë të 4000 rasteve të fatkeqësive që ka kaluar vendi ynë që nga viti 1952, duke sjellë me vetë dëme të mëdha, kësisoj alibia e motit të paqëndrueshëm, fajësia e qytetarëve apo ardhjes së rreshjeve në mënyrë të paparashikueshme, është larg së qënurit bindëse e justifikuese. /Shteg.org




