“Loja” me diplomat, Isa Halilaj zbardh skemën: Ja si po diskriminohen qindra mësues në Shqipëri

Një diferencim i thellë pagash mes mësuesve të diplomuar para dhe pas procesit të Bolonjës ka krijuar një situatë të padrejtë dhe diskriminuese në sistemin arsimor parauniversitar në Shqipëri.

Qindra arsimtarë, të cilët kryejnë të njëjtën punë dhe mbajnë të njëjtat përgjegjësi si kolegët e tyre më të rinj, paguhen ndjeshëm më pak vetëm për shkak të llojit të diplomës dhe periudhës kur kanë përfunduar studimet. Kjo çështje, e cila ka mbërritur deri në Kuvend, nxjerr në pah një problematikë serioze për barazinë në punë dhe vlerësimin e përvojës profesionale.

Isa Halilaj, Zëvendëspresidenti i Sindikatës së Mësuesve i ftuar në studion e lajmeve në “Ora Neës” u shpreh se problematika u bë e dukshme pas një vendimi të Këshillit të Ministrave (VKM) në qershor të vitit 2024 për rritjen e pagave.

Ky vendim nxori në pah se disa kategori mësuesish po penalizoheshin financiarisht. Grupet më të prekura janë edukatorët e kopshteve, mësuesit e ciklit fillor të diplomuar mes viteve 1992 dhe 1998 me sistemin trevjeçar, si dhe ata që kanë përfunduar një “Master Profesional” me 60-90 kredite.

Halilaj shpjegon se diplomat trevjeçare të asaj periudhe, që në atë kohë konsideroheshin studime të plota dhe të mbyllura, tani po baraz-vlerësohen gabimisht me një diplomë “Bachelor”, duke i lënë këta mësues në një nivel page më të ulët.

Absurditeti i situatës ilustrohet me një shembull konkret: dy mësuese të diplomuara në të njëjtin vit, 1993, por njëra në universitetin e Shkodrës dhe tjetra në institutin e Gjirokastrës, paguhen ndryshe.

Mësuesja e Shkodrës, për shkak se institucioni i saj mori statusin “universitet” më herët, merr një pagë më të lartë se kolegia e saj nga Gjirokastra, pavarësisht kualifikimeve dhe punës identike.

Një tjetër kategori e diskriminuar janë mësuesit të cilët, duke ndjekur udhëzimet e kohës, zgjodhën “Masterin Profesional” për të hyrë në sistemin arsimor, në vend të atij shkencor.

Tani, për shkak se masteri i tyre ka më pak kredite, ata paguhen më pak se kolegët që ndoqën rrugën tjetër, edhe pse në atë kohë nuk kishin alternativë tjetër për t’u bërë mësues.

Debati për këtë padrejtësi nuk është i ri. Përpjekjet për zgjidhje nisën që në vitin 2004, por pa sukses. Së fundmi, çështja është ngritur në Komisionin Parlamentar për Edukimin, ku sindikatat kanë paraqitur një propozim konkret për ndryshim ligjor.

Propozimi kërkon që diplomat e ish-instituteve, universitetet tre dhe katër vjeçare, si dhe masterat profesionalë të caktuar, të njihen si arsim i lartë i plotë (me tetë semestra) për efekt page dhe kualifikimi.

Ndërsa institucionet shtetërore po shqyrtojnë çështjen, qindra mësues me përvojë vazhdojnë të përballen me një diskriminim që ata e cilësojnë si “real dhe të dukshëm”, duke pritur një zgjidhje që do t'i japë fund pabarazisë dhe do të rivendosë dinjitetin e tyre profesional.

PJESË NGA BISEDA NË STUDIO

Çfarë po ndodh me pagat e mësuesve të diplomuar para procesit të Bolonjës dhe pse kjo situatë quhet diskriminuese?

Halilaj: Atëherë ne pas VKM-së 425 të qershorit të vitit 24, ku patëm edhe një rritje rrogash, na doli një problematikë ndoshta si fillimisht na u duk artificiale.

Ishin kategori mësuesish që u penalizuan për shkak të diplomës, që për ne ishte e padrejtë. Dhe këto janë disa kategori.

Janë edukatorët e kopshtit, të arsimit parashkollor, janë kryesisht mësues të arsimit fillor që kanë përfunduar studimet universitare në vitin 92-98. Ose para sistemit të Bolonjës.

Kemi edhe një kategori tjetër është mësuesit që kanë mbaruar masterin me 60 dhe 90 kredite. Dhe t'i marrim me radhë. Ligji i arsimit parauniversitar e përcakton që një mësues në arsimin parashkollor duhet të ketë master në këtë degë. Kurse për mësuesit për ciklin e ulët duhet të kenë studimet, studimet e përfunduara studimet për degën e mësuesisë cikli i ulët dhe problematika doli me mësuesit që kanë përfunduar universitetin nga 92-shi në 98-ën.

Arsyeja ishte kjo sepse në atë periudhë universitetet ishin të degës së mësuesisë ishin trevjeçare. Dhe kjo u barazvlerësua me Bachelor.

Faktikisht ato ishin studime të mbyllura, sepse në fund të përfundimit të studimeve kishin një diplomë në të cilën shkruhej ka përfunduar arsimin e lartë në degën mësuesi për klasat 1 deri në 4 dhe për ne ishte e padrejtë.

Me një ndërhyrje në ligjin e Arsimit Parauniversitar ishte rregulluar problemi i instituteve pra deri në vitin 92. Sepse për institutet në ligj ishte përcaktuar që ishin  të barazvlefshme me tetë semestra.

Kurse për pjesën e universiteteve ligji nuk e pranonte këtë, gjithsesi deri në 24 ishte rregulluar me VKM.

Dhe unë do t'ju jap një shembull, një dallim. Për shembull, kishim dy mësuese në një shkollë të caktuar që njëra kishte përfunduar studimet në Gjirokastër, kurse tjetra në universitetin e Shkodrës, në vitin 93.

Për shkak të zhvillimeve të kohës, Shkodra, pra sistemi trevjeçar. Po, për shkak të ngjarjeve të kohës, Instituti i Shkodrës mori statusin universitet përpara Institutit të Elbasanit dhe të Gjirokastrës.

Dhe dy kolege pune, dy mësuese të një shkolle të caktuar kishin përfunduar studimet në të njëjtin vit. Por diploma e mësueses që kishte përfunduar në Gjirokastër, institut, trajtohej me 140.000 lekë të vjetra si rrogë bazë.

Kurse mësuesja që kishte përfunduar studimet në Universitetin e Shkodrës trajtohej me 100.000 lekë sepse emërtimi i diplomës ishte universitet dhe jo institut.

Pra, në të njëjtin vit, të njëjtën degë, pra për shkak të ndryshimit të emrit që mori universiteti, pra mori universitet, ndërkohë që i Gjirokastrës ishte institut.

Kishim edhe një kategori tjetër, për shembull mësuesish që një mësuese nga Korça kishte mbaruar shkëlqyeshëm me gjitha dhjeta, trevjeçar, universitetin e Korçës, por nuk kishte hapësira të tjera që të vazhdojë studime master për shembull që të vazhdojë studime të mëtejshme dhe ishte e mbyllur si cikël.

Flasim po për të njëjtën periudhë. Për të njëjtën periudhë. Dhe ky doli një problematikë që këta mësues nuk mund t'i trajtosh si Bachelor në një kohë që në atë periudhë nuk ka pasur, nuk ishte Bachelor fare dhe ishte cikël i mbyllur.

Kemi një kategori tjetër mësuesish që kanë përfunduar studimet, Bachelor dhe Master, por për shembull marrim një rast konkret, një mësues që, një student që përfundon studimet dega anglisht dhe përveçse degës së Mësuesisë, aty mund të ketë edhe dega Përkthim për shembull. Dhe ky quhej Master Shkencor.

Studentëve pas përfundimeve të ciklit Bachelor, ju rekomandua që në qoftë se doni të futeni në sistemin e mësuesisë, ju duhet të vazhdoni Master Profesional, ashtu sikurse u bë edhe disa vite më vonë pastaj.

Kurse ata të tjerët që donin përkthim ose të tjera, Master Shkencor. Në trajtimin që u bë nga VKM-ja, këta që kishin përfunduar, i kishin orientuar drejt arsimit profesional, filluan e po trajtohen me 120.000 lekë, sepse kanë 60 ose 90 kredite, në një kohë që nuk ishte alternativë tjetër me 120 kredite. 120 kredite kishte Shkencori. Pra, fillimisht studentët u orientuan drejt profesionalit, por në fakt po sot po trajtohen ndryshe. Për çështjen e pagës.

Për çështjen e pagës, një kohë që studentit i thuhet që ju nuk do përfundoni studimet Master Shkencor, sepse nuk do futeni në Mësuesi. Po në fakt ata sot po trajtohen me 140.000 lekë, kurse këta profesionalët, për shkak të numrit të krediteve.

Ishte e qartë kjo që atëherë apo nuk ishte e qartë dhe kjo problematikë ka dalë tashmë?

Halilaj: Ne fillimisht e morëm si lapsus. Gjithsesi ne direkt u futëm në kontakt me ministrinë, bëjmë takime... Kjo ka filluar Në 2024 me VKM-në e rritjes që u bë një rritje reale e pagave.

Ne kontaktuam me ministrinë, zhvilluam takime dhe në një takim që unë kam qenë edhe pjesë, është zhvilluar në nëntor 2004, bashkë me zëvendësministren, sekretarin e përgjithshëm dhe drejtoreshën e administratës publike.

Dhe e kemi diskutuar me detaje dhe kemi kërkuar që të rishikohet VKM-ja, sepse ishte një diçka që mund të kryhej, mund të sqarohej edhe me VKM, s'kishte nevojë për ndërhyrje ligjore, sepse këta mësues nga viti 2017 deri në '24 u paguan normalisht.

Në 2024 kjo problematika doli në pah. Por nga 2017 deri në 2024 nuk pati probleme, sepse ishte e rregulluar me VKM. Me ndryshimin e VKM-së doli problematika.

Tani duhet një VKM tjetër apo duhet të ndryshojë tërësisht?

Halilaj: Atëherë ka dy mënyra. Edhe mund të rregullohej me VKM, edhe me ndërhyrje në ligjin e arsimit parauniversitar. Ne propozuam që më e thjeshtë ishte zgjidhja me VKM.

Edhe procedurë ndoshta më e përshpejtuar?

Halilaj: Ne pas bisedimeve që bëmë në Ministrinë e Arsimit dhe me drejtoreshën e administratës publike na u kërkua kohë. Domethënë u dakordësuam sepse ato janë, janë cikle të mbyllura.

Në qoftë se flitet për orë, gjatë kësaj periudhe që ata kanë përfunduar studimet, java mësimore ka qenë me gjashtë ditë jo me pesë. Pra domethënë edhe orët mësimore janë të përafërta. U dakordësuam por një sindikatë jo përfaqësuese e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Dhe Ministria e Arsimit u tërhoq nga bisedimet, sepse tha çështja është në gjykatë.

Ndoshta dhe çështje vullneti. Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë dhe ne u diskutuam prapë me, me Ministrinë e Arsimit, bëmë takime, e ngritëm problemin që t'i jepet një zgjidhje kësaj kategorie mësuese, është një diskriminim real, domethënë i dukshëm. Sepse të dhashë rastin e dy mësuesve që janë në të njëjtën shkollë.

Problematikën pastaj, presidenti i Sindikatës së Pavarur zoti Kaptelli, bashkë me kryetarin e Federatës, e ngritën në komisionin parlamentar të edukimit në muajin nëntor kur u thirrën për buxhetin. Dhe krahas kësaj ngritën edhe problemin e mësuesve.

U kërkua që ne të paraqesim alternativën dhe ne e pamë të arsyeshme që përderisa situata nuk u zgjidh me ministrinë, i kaloi komisionit, të paraqesim dhe propozojmë, ne kemi bërë propozimin tonë, që ashtu sikur është vepruar me institutet, të vazhdohet edhe me këto.

Dhe në qoftë, për shembull, ligji ka qenë, thotë kështu: Personeli mësimdhënës që ka përfunduar studimet universitare në ish-institutet e larta, diploma e përfituar njihet si arsim i lartë me tetë semestra. Për efekt page. Kurse ne e kemi propozuar që personeli mësimdhënës që ka përfunduar studimet universitare në ish-institutet e larta, universitetet tre dhe katër vjeçare dhe ata me Master Profesional 60 dhe 90 kredite, diplomuar para 1 mars 2017, diploma e përfituar i njihet si arsim i lartë me tetë semestra për efekt page dhe kualifikimesh.