Miratohet ndërtimi i centralit fotovoltaik 128 MW në Fier

Shoqëria “SOLEN ENERGY” ka marrë miratimin për ndërtimin e një centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike me kapacitet 128 MW, me vendndodhje në Sheq-Marinas, bashkia Fier.

Projekti i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse shtetërore.

Shoqëria ka afat 36 muaj për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në punë. të centralit. Ai pritet të funksionojë për një periudhë 49 vjet.

Për realizimin e tij, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore do të ushtrojnë mbikëqyrje periodike, duke siguruar që ndërtimi dhe operimi të jenë në përputhje me standardet dhe dokumentacionin teknik.

Shoqëria “SOLEN ENERGY” do të raportojë çdo tre muaj mbi ecurinë e punimeve dhe do të respektojë të gjitha kushtet e lejeve, licencave dhe autorizimeve mjedisore.

Projekti parashikon gjithashtu që 2% e energjisë së prodhuar të jepet falas ministrisë përgjegjëse për energjinë, ose të konvertohet në vlerë monetare për buxhetin e shtetit, dhe pjesa tjetër mund të shitet furnizuesit publik sipas legjislacionit në fuqi.