Vllaznia e pandalshme, mposht Vorën dhe kryeson Superioren! Partizani përmbys Bylisin në limite

Java e 23-të e Kategorisë Superiore ka prodhuar emocione dhe rezultate të rëndësishme në luftën për klasifikimin e superligës, me Vllazninë që konfirmon formën e shkëlqyer dhe Partizanin që rikthehet te fitorja me një përmbysje dramatike në transfertë.

Vllaznia regjistroi fitoren e gjashtë radhazi, duke mposhtur 1-0 Vorën dhe duke u shkëputur në krye të kampionatit. Shkodranët siguruan tri pikë të arta falë një supergoli të Sherif Kallakut në fundin e pjesës së parë, i cili me një goditje të saktë me të majtën dërgoi topin në rrjetë.

Pavarësisht përpjekjeve të Vorës në pjesën e dytë, rezultati mbeti i pandryshuar. Me këtë sukses, Vllaznia kryeson renditjen me 45 pikë, ndërsa Vora renditet në vendin e shtatë me 25 pikë.

Në Ballsh, Partizani arriti një fitore dramatike 2-1 ndaj Bylisit, në një ndeshje që u vendos në minutat e fundit. Të kuqtë e nisën takimin me vështirësi dhe u ndëshkuan në minutën e 30-të, kur Sandeu kaloi në avantazh vendasit.

Pjesa e dytë ishte e ekuilibruar, deri në fundin e saj, ku Partizani reagoi fuqishëm. Toma barazoi shifrat në minutën e 81-të, ndërsa Human realizoi golin e fitores në minutën e 91-të, duke përmbysur rezultatin.

Pas këtij suksesi, Partizani ngjitet në vendin e pestë me 30 pikë, ndërsa Bylis mbetet në vendin e tetë me 20 pikë. Fitorja e Partizanit është një asist për Tiranën e Vlorën në sfidën e mbijetesës.

Rezultate:

Bylis-Partizani 1-2

Vllaznia – Vora 1-0

Elbasani-Teuta Ora 16:30

Flamurtari – Egnatia  Ora 19:00

Të shtunën:

Tirana-Dinamo City  Ora 13:30

Klasifikimi: Vllaznia 45 pikë, Egnatia 39, Elbasani 39, Dinamo City 34, Partizani 30, Teuta 27, Vora 25, Bylis e Tirana me 20 dhe Flamutari 19

*Bylis, Partizani, Vllaznia e Vora kanë një ndeshje më shumë