Milano-Kortina 2026, datat e garimit të skiatorëve kuqezinj
Sot nisin Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Kortina 2026, që do të zhvillohen deri më 22 shkurt. Aktiviteti do të nisë zyrtarisht sot në orën 20:00, me një risi absolute: një ceremoni hapjeje e zhvilluar njëkohësisht në dy vende – në stadiumin ikonik “San Siro” në Milano dhe në sfondin historik të “Cortina d’Ampezzo”. Një debutim i dyfishtë që pasqyron natyrën “të shpërndarë” të këtij edicioni, i cili do të përfshijë gjithë harkun alpin.
Lara Kolturi, skiatorja 19-vjeçare nga Piemonte, e cila tre sezone më parë vendosi të garojë për ngjyrat kuq e zi, do të jetë flamurmbajtësja e Shqipërisë në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore në “Cortina d’Ampezzo”.
Denni Xhepa do të jetë sportisti më i angazhuar, duke garuar në të katër disiplinat për meshkuj: Downhill, Super gjigant, Sllallom gjigant dhe Sllallom. Ndërkohë, Lara Colturi dhe Semire Dauti do të marrin pjesë në dy disiplina, Sllallom gjigant dhe Sllallom, ndërsa Lisa Brunga do të garojë vetëm në disiplinën e Sllallomit.
Skiatori shqiptar Denni Xhepa merr pjesë për herë të dytë në lojërat olimpike dimërore. Për herë të parë ai mori pjesë në Lojërat Olimpike dimërore “Pekin 2022”, ku bëri një paraqitje të mirë në garën e Sllallomit special. Pas dy zbritjeve, ai u klasifikua në vendin e 28-të në renditjen përfundimtare, me kohën 1’53”28. Kjo ishte gara e dytë dhe e fundit e skiatorit shqiptar në Olimpiadë. Në garën e Sllallomit gjigant të zhvilluar pak ditë më parë, ai nuk arriti të japë kohë, pasi u rrëzua dhe u eliminua. Denni Xhepa ishte përfaqësuesi i vetëm i Shqipërisë në Olimpiadën dimërore.
Datat e garimit:
Denni Xhepa (22 vjeç) do të zbresë në pistë më 7, 11, 14 dhe 16 shkurt
Lara Colturi (19 vjeç) dhe Semire Dauti (18 vjeç) do të garojnë më 15 shkurt në Sllallom gjigant dhe më 18 shkurt në Sllallom ndërsa Lisa Brunga (17 vjeç) do të garojë më 18 shkurt, në Sllallom. Për herë të parë në historinë e Lojërave Olimpike Dimërore, Shqipëria përfaqësohet me 4 sportistë në ski alpine: Lara Colturi, Lisa Brunga, Semire Dauti dhe Denni Xhepa.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet Lisa Brungës, e lindur dhe e rritur në Kanada, e cila përmes rezultateve dhe paraqitjeve të saj në arenën ndërkombëtare ka kontribuar në vendosjen e Shqipërisë në hartën e skive elitare botërore.
Para nisjes drejt Cortinës, sportistët shqiptarë u pritën nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili u dorëzoi flamurin kombëtar. Presidenti vlerësoi rëndësinë e këtij përfaqësimi si një hap domethënës për zhvillimin e sporteve dimërore dhe promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Pjesëmarrja në Milano–Cortina 2026 konsiderohet një pikë kthese për sportet dimërore shqiptare, të cilat nga një aspiratë e kahershme janë shndërruar në një program kombëtar me standarde europiane, profesionalizëm dhe ambicie afatgjata olimpike. Ky sukses është rezultat i përkushtimit të sportistëve dhe trajnerëve, si dhe i mbështetjes institucionale ndaj sportit.
Shqipëria hap kështu një kapitull të ri në historinë e saj sportive, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit dhe zhvillimit të sporteve dimërore në nivel ndërkombëtar.

