GJUHA SERBE PËRÇAN MALIN E ZI/ Gjuha ndez tensionet politike, ekspertet: Përpjekje për pengim në BE

Partia Popullore Demokratike proserbe u largua nga qeveria e Malit të Zi, duke kërkuar gjuhën serbe si gjuhë zyrtare. Kërkesat e saj për simbolet shtetërore dhe shtetësinë dyfishe tensionojnë koalicionin, teksa ekspertët paralajmërojnë ndikim të jashtëm dhe përpjekje për ndërlikimin e integrimeve evropiane.

Çështjet e identitetit dhe gjuhës serbe janë rikthyer fuqishëm në qendër të debatit politik në Mal të Zi.

Partia Popullore Demokratike proserbe, e udhëhequr nga Millan Knezheviç, u largua nga koalicioni qeverisës, duke kërkuar që gjuha serbe të shpallet gjuhë zyrtare dhe të ndryshohen ligjet për simbolet shtetërore dhe për shtetësinë dyfishe.

Kjo lëvizje vjen në një kohë kur Mali i Zi po shënon përparim në rrugën drejt integrimeve evropiane, duke e bërë situatën të ndjeshme dhe duke shkaktuar tensione brenda koalicionit qeverisës.

Ekspertët vlerësojnë se sfidat e hapura nga Partia Popullore Demokratike Proserbe dhe partitë proserbe synojnë të nxisin paqëndrueshmëri politike dhe mund të përdoren për të ushtruar ndikim të jashtëm, sidomos nga Beogradi.

Pas largimit të PartisëPopullore Demokratike Proserbe, qeveria e kryeministrit Millojko Spajiç ruan shumicën parlamentare, ndërsa ambasadori i Serbisë u thirr për sqarime në lidhje me deklaratat mbi gjuhën serbe.

Rezultatet e regjistrimit të popullsisë tregojnë se gjuha serbe është amtare për 43 për qind të qytetarëve, ndërsa gjuha malazeze për 34 për qind.

Analistët paralajmërojnë se, nëse partitë serbe do të koordinohen më mirë, kjo mund të rrezikojë stabilitetin qeverisës dhe të ndikojë në integrimet evropiane.

Megjithatë, derisa koalicioni i përbërë nga Lëvizja Evropa Tani, Demokratët e Malit të Zi, partitë boshnjake, serbe dhe shqiptare mbetet në pushtet, ekspertët shohin mundësinë për zgjidhje të brendshme pa shkaktuar krizë të madhe.

Zgjedhjet e përgjithshme në Mal të Zi pritet të mbahen në vitin 2027, duke lënë hapësirë për negociata të brendshme dhe për ruajtjen e stabilitetit deri atëherë.