FSK në Gaza/ Gjoka: Angazhimi i FSK-së ndërkombëtarizon Kosovën dhe hap rrugën e njohjes së saj

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e Ora News, ish-ambasadori Sokol Gjoka ka folur mbi rëndësinë e angazhimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në misionet ndërkombëtare, duke theksuar se këto forca janë të trajnuara sipas standardeve më të larta.

Gjoka u shpreh se pjesëtarët e FSK-së kanë kaluar të gjitha fazat e nevojshme të trajnimit në institucione prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, çka i bën ata të aftë për të dhënë kontribut konkret në operacione të ndërlikuara ndërkombëtare.

Sipas tij, ky zhvillim ka një rëndësi të veçantë nëse materializohet, pasi jo vetëm që ndërkombëtarizon më tej Kosovën, por i jep asaj hapësirë reale angazhimi dhe kontributi në arenën globale, duke e trajtuar si të barabartë me vendet e tjera që marrin pjesë në misione dhe zhvillime ndërkombëtare.

"Pavarësisht faktit se disa shtete ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ajo tashmë vepron dhe është anëtare në një sërë organizmash ndërkombëtarë. Angazhimi i FSK-së përbën një vlerësim të drejtpërdrejtë për Kosovën dhe hap rrugën drejt forcimit të njohjes së saj ndërkombëtare.

“Përmes këtyre kontributeve, Kosova fiton kredibilitet në arenën ndërkombëtare dhe afrohet më shumë me qëllimin e saj për njohje të plotë globale,” përfundoi Gjoka.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË: