PROVIMI VETËM MAQEDONISHT/ Studentët shqiptarë kërkojnë provim në shqip dhe barazi gjuhësore
Studentëve shqiptarë të juridikut në Maqedoninë e Veriut po u mohohet provimi në shqip. Ministria e Drejtësisë thotë se maqedonishtja është kusht ligjor. Studentët kanë nisur peticion për barazi gjuhësore. Bëhet fjalë për provimin që është kusht për t’u bërë gjyqtar, prokuror, avokat, noter apo përmbarues. Pa e kaluar këtë provim, asnjë jurist nuk mund të ushtrojë profesionin në sistemin e drejtësisë.
Studentët shqiptarë të fakulteteve juridike në Maqedoninë e Veriut po përballen me një refuzim zyrtar për të dhënë provimin e jurisprudencës në Gjuhën Shqipe.
Ky provim është kusht thelbësor për t’u bërë gjyqtar, prokuror, avokat, noter apo përmbarues dhe pa të, asnjë jurist nuk mund të ushtrojë profesionin në sistemin e drejtësisë.
Së fundmi, 385 studentë shqiptarë nga Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti “Nënë Tereza” kanë dorëzuar një peticion në disa institucione shtetërore, ku kërkojnë që provimi të zhvillohet edhe në Gjuhën Shqipe. Ata argumentojnë se studimet i ndjekin në shqip dhe se Gjuha Shqipe është gjuhë zyrtare në vend.
Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve ka konfirmuar pranimin e kërkesës, por ka sqaruar se nuk ka kompetencë për vendimmarrje, duke ia kaluar çështjen Ministrisë së Drejtësisë.
Kjo e fundit ka dalë me një qëndrim të prerë: sipas ministrisë, provimi i jurisprudencës shërben edhe për të testuar njohjen aktive të gjuhës maqedonase, e cila është kusht ligjor për ushtrimin e profesioneve juridike.
Ministria thekson se ligjet për gjykatat, prokurorinë, avokatinë, noterinë dhe përmbarimin kërkojnë zotërim të maqedonishtes dhe se ligji aktual për provimin nuk parashikon zhvillimin e tij në gjuhë tjetër.
Nga ana tjetër, studentët dhe njohës të çështjeve ligjore thonë se në ligj nuk ka ndalim të qartë për përdorimin e shqipes. Ata i referohen Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, i cili obligon institucionet të mundësojnë përdorimin e shqipes në procedura zyrtare.
Çështja ka edhe dimension politik.
Një propozim-ligj që do ta rregullonte këtë çështje ishte përgatitur në vitin 2024, por u tërhoq nga agjenda pas ndryshimeve politike. Deri tani, qeveria ka bërë të ditur vetëm se kërkesa është në shqyrtim, pa afate konkrete, ndërsa reagimet politike mungojnë.
Studentët paralajmërojnë se do të vazhdojnë përpjekjet për, siç thonë, respektim të barazisë gjuhësore në sistemin e drejtësisë.
