Hoxha: 51% i LVV-së nuk mjafton për Presidentin. Kurti po kërkon një rrugëdalje për ta shmangur rizgjedhjen e Osmanit
Kosova ka hyrë në një fazë kritike pas zgjedhjeve, ku fitorja plebishitare e Lëvizjes Vetëvendosje po përballet me realitetin e numrave kushtetues.
I ftuar në hapësirën “Për Shqiptarët” në “Ora News”, analisti Ylli Hoxha shpjegon se ndonëse procesi zgjedhor u mbyll me një epërsi të thellë për LVV-në, periudha e certifikimit dhe ankimimeve në KQZ dhe Gjykatën Supreme po merr kohë të vyer.
Me 57 deputetë të siguruar, Albin Kurti e ka të lehtë formimin e qeverisë (ku nevojiten 61 vota), duke shmangur bllokadat e vitit të kaluar për kryeparlamentarin.
Megjithatë, sipas tij, sfidë reale mbetet data 5 mars dhe zgjedhja e Presidentit. Për këtë post, Kushtetuta kërkon një kuorum prej 80 deputetësh në sallë.
Kjo kërkesë e detyron shumicën e re të kërkojë kompromis dhe dialog me partitë opozitare, pasi mungesa e këtij numri do ta çonte vendin në një krizë të re institucionale.
Hoxha thekson se euforia e fitores duhet t'i lërë vendin pragmatizmit politik për të shmangur ngërçin.
“Përkundër qartësisë elektorale, do të thoja të ndarjes së pushteteve, që prodhuan zgjedhjet e 28 dhjetorit duke i dhënë Lëvizjes Vetëvendosje një epërsi të thellë ndaj subjekteve të tjera, kishim një periudhë të humbur për shkak të një turpi të madh të vjedhjeve të votave brenda kandidatëve të vet subjekteve politike.
Dhe kjo konsumoi disa javë kohë derisa ato u rinumëruan dhe tani jemi në fazën ku duhet të validohen të gjitha vendimet e KQZ-së përfshi edhe rezultatet, përmes një procesi ankimimi që mund të mbërrijë jo vetëm nivelin e KQZ-së, PZAP-së që është niveli i parë ankimor, por shkon deri te Gjykata Supreme.
Sot Gjykata Supreme ka pranuar gjashtë ankesa të cilat do të duhej t'i shqyrtonte dhe pas verdikteve që ajo do të japë do të vijë faza e certifikimit të rezultateve që është edhe momenti prej të cilit mund të fillohet konstituimi i institucioneve.
Këtë radhë rezultatet na prodhuan një shumicë dërrmuese të Lëvizjes Vetëvendosje, do të thotë mbi 51% të votave, gjithsej ka 57 deputetë do t'i ketë në parlamentin e ardhshëm nga 120, që do të thotë nuk do të ketë probleme për të krijuar shumicën qoftë për konstituimin e kuvendit apo edhe për atë të qeverisë. Do të thotë, sepse i duhen 61 vota për të bërë dy këto zgjedhje. Atë që e përjetuam vitin e kaluar me bllokada rreth konstituimit të Kuvendit nuk e kemi këtë herë sepse ka shumicë të qartë në, në Kuvend.
Por kjo do të jetë faza e parë e cila tejkalohet lehtë. Faza e dytë vjen deri me 5 mars, Kosova ka një afat tjetër që duhet të zgjedh presidentin e Republikës, dhe këtu vështirësohen gjërat sepse në sallë duhet të qëndrojnë 80 deputetë në mënyrë që ky proces të jetë i legjitim”, u shpreh Hoxha.
LOJA E RREZIKSHME
Po ashtu, analisti Ylli Hoxha hodhi dritë mbi prapaskenat e mundshme të koalicionit fitues. Ai shprehu dyshime mbi sinqeritetin e mbështetjes së Albin Kurtit për kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente.
Sipas Hoxhës, gjuha e butë e Kurtit për nevojën e kompromisit me opozitën mund të jetë një sinjal se ai po kërkon një rrugëdalje për ta shmangur Osmanin.
Analisti argumenton se Kurti e sheh Osmanin si një rivale potenciale dhe 'kërcënim të brendshëm' për shkak të popullaritetit të saj.
Nga ana tjetër, deklaratat e mëparshme të Osmanit se do të garonte kundër partive nëse nuk zgjidhet, lexohen si presion i hapur.
Hoxha ngre hipotezën se LVV dhe LDK mund të gjejnë gjuhë të përbashkët pikërisht për ta eliminuar faktorin “Osmani” nga kreu i shtetit, duke zgjedhur një president konsensual që nuk rrezikon asnjërën palë politikisht.
LDK NË UDHËKRYQ
Dështimi për të zgjedhur presidentin do të thotë zgjedhje të reja, dhe që për optikën e Hoxhës është një skenar makthi për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) pas rezultatit katastrofik të fundit.
Ylli Hoxha analizon pozicionin e brishtë të LDK-së dhe liderëve të saj, duke sugjeruar se partia më e vjetër në vend mund të jetë e detyruar të bashkëpunojë për të mbijetuar politikisht.
Sipas tij, LDK-ja u ndëshkua nga votuesit për mungesë identiteti të qartë, duke mos qenë as me VV-në, as me “krahun e luftës”.
Tani, përballë presionit ndërkombëtar dhe gjeopolitik, si dhe nevojës për marrëveshje të vështira me Serbinë, LDK mund të zgjedhë rrugën e konstruktivitetit.
Analisti sugjeron se një koalicion më i gjerë ose një marrëveshje për presidentin do të ishte shenjë pjekurie politike, duke i dhënë Kosovës stabilitetin e nevojshëm në një kohë kur bota po ndryshon me shpejtësi.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME ANALISTIN YLLI HOXHA


