Hapet për herë të parë thirrja për çmimin “Mirash Ivanaj – Mësuesi i Vitit”
Fondacioni M. & M. Ivanaj Institut për herë të parë ka hapur thirrjen për çmimin “Mirash Ivanaj – Mësuesi i Vitit”, i cili synon të vlerësojë figurën e mësuesit dhe rolin e tij në shoqëri.
Ky çmim vjen i frymëzuar nga vizioni i Mirash Ivanajt, reformator i arsimit shqiptar, i cili e konceptonte dijen dhe arsimin si bazë të shtetit modern dhe të zhvillimit shoqëror.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha sot se “kjo iniciativë vendos në vëmendje figurën e mësuesit, si një model i përkushtimit, përpjekjeve e sfidave në arsimimin e brezave e që meriton padyshim të nderohet me respekt e dinjitet nga institucionet, komunitetet dhe e gjithë shoqëria”.
Kumbaro informoi se “deri në datën 8 shkurt mund të propozohet emri i një mësuesi që vlerësoni në faqen https://ivanaj-foundations.org/sq/mesuesivitit/ dhe nga data 16-20 shkurt do të jetë periudha e votimit publik online për kandidatët finalistë, ndërsa fituesit do të nderohen në një ceremoni të dedikuar”.
“Ministria e Arsimit mbështet çdo nismë që vlerëson dhe promovon punën që njerëzit e arsimit bëjnë çdo ditë në formësimin e të ardhmes”, tha Kumbaro.
Edicioni i parë i çmimit “Mirash Ivanaj – Mësuesi i Vitit” 2026 fokusohet në arsimin parauniversitar në Tiranë, duke përfshirë arsimin fillor, arsimin 9-vjeçar dhe arsimin e mesëm. Për secilin nga këto nivele do të shpallen fitues të vendit të parë, të dytë dhe të tretë, me synimin për të nxjerrë në pah meritat dhe përkushtimin e mësuesve në çdo hallkë të sistemit arsimor.
Përmes kësaj nisme, Fondacioni M&M Ivanaj Institut synon të forcojë kulturën e vlerësimit dhe të meritës në arsim, duke përcjellë mesazhin se mësuesit janë arkitektët e së ardhmes dhe se investimi tek ata është investim te shoqëria dhe brezat që vijnë.

