Gonxhja: Dosja e “Motit të Madh”, ëndërr e arbëreshëve dhe detyrimi ynë si shtet
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja gjendet në Vatikan, ku është takuar edhe me përfaqësues të komunitetit arbëresh si dhe u bë pjesëmarrës së bashku me Ettore Bonanno, në podcast-in “Pop Arbëresh”.
Gjatë bisedës së zhvilluar me gazetarin arbëresh, ministri Gonxhja preku tema të rëndësishme të kulturës dhe trashëgimisë kombëtare siç është dosja e “Motit të Madh” në UNESCO, Muzeu Arbëresh etj.
Ministri Gonxhja përmendi gjatë bisedës projekte që ruajnë kujtesën, identitetin dhe historinë e arbëreshëve. Konferenca e mbajtur në mjediset e Vatikanit shoqërohej nga një miniekspozitë për kulinarinë shqiptare si dhe veshjet arbëreshe dhe të tjera elemente tradicionale.
“Aplikimi me dosjen e “Motit të Madh” është një ëndërr e rëndësishme e komunitetit arbëresh, por edhe detyrim i yni si shtet. Po punojmë shumë edhe për ‘Culturalb’, një fondacion shtetëror që kemi ngritur, për të pasur një tjetër energji në diasporat tona, ato të reja por edhe ato të lashta si arbëreshët, në mënyrë që të kemi një prani kulturore, sociale të qendrave tona në këto vende. Në Itali do kemi një shtëpi shqiptare, një qendër kulturore shqiptare”, u shpreh ministri i MTKS.
Ministri përmendi Muzeun Arbëresh i cili pritet të ngrihet në Vuno, në brigjet prej nga ku nisi eksodi. “Ky do të jetë një muze i vogël, por shumë i dashur dhe shumë i rëndësishëm për historinë dhe dedikuar krejtësisht tregimit mbi arbëreshët”, tha Gonxhja.
Ministri tha se të rinjtë, fëmijët tanë duhet të kuptojnë se bëhet fjalë për krenarinë e cila nuk lidhet vetëm me Shqipërinë dhe gjuhën por lidhet me një rrënjë e cila sot na bën të ndihemi shumë evropianë, sepse Evropa ka filluar në Mesdhe, atje ku ne kemi qenë zot të vendit, të dokeve e traditave.

