Deputeti i LDK-së “godet” Osmanin, Sadiku: Na ka më shumë borxh se sa i kemi ne asaj

Në peizazhin e ri politik pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit të vitit të kaluar, duket se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po pozicionohet si një forcë kyçe për formimin e institucioneve të reja, duke theksuar se është e hapur për dialog, por nuk do të pranojë kërcënime apo shantazhe.

Ermal Sadiku, deputeti i LDK-së i ftuar në hapësirën “Për Shqiptarët” në “Ora News” foli për dinamikat e brendshme që në garën për kryetarin e kësaj force, bashkëpunimin e mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje dhe çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke lëshuar një deklaratë të fortë në drejtim të Presidentes aktuale, Vjosa Osmani.

Lidhur me zhvillimet e brendshme, veçanërisht pas garës për kryetar partie mes Lumir Abdixhikut dhe Avdullah Hotit, Sadiku theksoi se debati dhe kundërshtimet kanë qenë historikisht pjesë e LDK-së.

Sipas tij, kjo është një shenjë e demokracisë së brendshme që e dallon këtë parti nga subjektet e tjera politike në Kosovë dhe rajon, duke e konsideruar Avdullah Hotin si një “aset të vlefshëm” për partinë.

Sa i përket bashkëpunimit me fituesin e zgjedhjeve, ai pohon se “LDK-ja është gjithmonë e gatshme të bisedojë dhe të bashkëpunojë për çdo gjë që është në të mirë të shtetit”.

Megjithatë, ai vë një vijë të kuqe, duke thënë se LDK nuk do të jetë pengesë për formimin e institucioneve, por as nuk do të pranojë të kërcënohet me zgjedhje të reja.

Ai argumenton se përgjegjësia kryesore për krijimin e institucioneve bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje, e cila fitoi shumicën e votave, dhe se populli do t'i dënonte nëse ata dështojnë ta bëjnë këtë.

Tema më e nxehtë mbetet zgjedhja e presidentit të vendit. Sadiku theksoi se LDK preferon dialogun për të gjetur një kandidat konsensual që përfaqëson unitetin e popullit, jo vetëm një parti politike.

Duke folur për një kandidim të mundshëm të Vjosa Osmanit për një mandat të dytë, ai bëri një deklaratë të fortë, duke thënë se situata ka ndryshuar.

“Unë mendoj që zonja Osmani i ka shumë më shumë borxh LDK-së se sa i ka LDK-ja zonjës Osmani”, deklaroi ai.

Ai kujtoi se ishte LDK ajo që siguroi kuorumin për zgjedhjen e saj herën e kaluar "pa asnjë përfitim" dhe pa asnjë kërkesë, vetëm për të zhbllokuar situatën institucionale.

Sipas tij, këtë herë pyetja duhet shtruar ndryshe: "Çfarë përfiton LDK-ja nga kjo?" Kjo lë të kuptohet se çdo mbështetje e mundshme për Osmanin do të kërkonte një marrëveshje të qartë politike.

Po ashtu Sadiku shprehu edhe dyshime personale nëse kryeministri Albin Kurti e ka realisht në plan të kandidojë sërish Vjosa Osmanin për presidente, duke shtuar një tjetër dimension paqartësie në ekuacionin kompleks politik të Kosovës.

INTERVISTA E PLOTË

Si pritet të jenë edhe marrëdhëniet në vijim të atyre të cilët në një farë forme dolën kundër lidershipit të LDK-së?

Nuk e di unë si do të jenë marrëdhëniet mes atyre, unë e pres që do të ketë marrëdhënie të mira dhe bashkëpunuese. Unë jam...

Pra është kjo frymë brenda LDK-së që edhe nëse ka kundërshti, në momentin që do të fillojë puna, gjithçka ndryshon? Çfarë ndodh nga ky moment e në vijim?

Unë jam anëtari më i ri në LDK, jam deputeti më i ri në aspektin e kohëzgjatjes time në politikë ose jetës time politike. Kështu që është pak e vështirë për mua të përgjigjem këtë, po në bazë të historisë se çfarë kam lexuar dhe çfarë kam parë, në LDK gjithmonë ka pasur debat.

Gjithmonë ka pasur kundërshtime brenda partiake, të cilat normalisht ka pasur edhe zgjedhje, për atë edhe është ndërruar kryetari disa herë.

Kjo nuk shihet te partitë e tjera në Kosovë, por edhe në rajon nuk është që ka diçka të tillë, që për mendimin tim e fuqizon demokracinë e brendshme në cilëndo parti politike.

Unë mendoj që zoti Hoti është një aset i vlefshëm për Lidhjen Demokratike dhe mendoj që shumica e njerëzve që janë aty janë të vlefshëm, vlefshëm për këtë parti edhe duhet të jenë pjesë e kësaj partie.

Po pastaj mbetet tek zoti Abdixhiku dhe kryesia e cila, po besoj do të ndërrojë pak me e vlerësuar këtë pozicion.

Unë nuk jam anëtar i kryesisë njëherë për njëherë dhe nuk kam qenë delegat në mbledhjen e cila është mbajtur. Si deputet i ardhshëm, besoj që do të jem edhe kam pak më të qartë edhe unë këtë dinamizëm edhe këtë situatë.

Çfarë flitet nga ana tjetër për LDK-në, është e gatshme Lidhja Demokratike e Kosovës të ketë bashkëpunime në vijim nëse do t'i ofrohet për qeverisje? Duke pasur parasysh që Kosova aktualisht është nën një pezull politik, kjo për shkaqe që unë dua patjetër t'i trajtojmë në vijim. Por ka një lloj fryme ndryshe tek LDK-ja, ndoshta ndryshe i referohem të një viti më parë me qëndrimet e saj të mbajtura qoftë për konstituimin e kuvendit, pra në zgjedhjet që u bënë.

Dëgjo, Lidhja Demokratike e Kosovës është gjithmonë e gatshme të bisedojë dhe të bashkëpunojë. Është parti e cila është e njohur për atë qasjen institucionaliste të saj.

Është e gatshme të bisedojë për çdo gjë që është në të mirë të shtetit të Kosovës. Problemi është që bisedat duhet të jenë dhe duhet të kenë pak edhe etikë politike, duhet të jenë normale, të moralshme, duhet të ketë një logjikë prapa tyre.

Edhe normal që jemi të gatshëm të bisedojmë, besoj edhe unë edhe gjithë grupi parlamentar. Nuk kemi diçka sot që është duke u biseduar, por do e shohim sepse sot partia Vetëvendosje ka mundësi ta krijojë qeverinë vetë.

Nuk është që i duhemi ne për ta votuar qeverinë. I ka 57 deputetë edhe disa nga deputetët e pakicave mund ta bëjnë.

Në këtë rast pyetja që shtrohet a do të jetë LDK-ja pengesë për zgjedhjen e presidentit?

LDK-ja nuk ka qenë asnjëherë pengesë. LDK-ja gjithmonë ka qenë ajo partia që e ka gjetur një zgjidhje të mirë ose ka punuar për me gjetur një zgjidhje të mirë për formimin e institucioneve.

Vetëm se nuk mundet LDK-ja të kërcënohet apo shantazhohet, kjo është i vetmi dallim. Nuk mund të kërcënohemi ne se ju dërgojmë prapë në zgjedhje, sepse ajo e dërgon shtetin, e dërgon popullin në zgjedhje, jo një parti politike, kupton?!

Po që se kërkesat e tij janë të tilla kërcënuese, shantazhuese, normal edhe LDK-ja është e gatshme të shkojë në zgjedhje.

Por ne më shumë preferojmë që të ulemi të bisedojmë, të gjejmë një president të, i cili e përfaqëson shumicën e parlamentarit, i cili përfaqëson denjësisht popullin e Kosovës, edhe kjo besoj, personalisht besoj që bëhet më së miri duke biseduar. Edhe mendoj që ka hapësirë.

Po qe se ata nuk e shohin të tillë dhe rrezikojnë institucion, formimin e institucioneve, pastaj duhet ata ta bëjnë këtë barrë, sepse kanë marrë 51% dhe mendoj që populli do t'i dënojë, sepse populli ua ka dhënë 51% që t’i formojë këto institucione sa më shpejt për të vazhduar më pas me proceset që kanë mbetur peng, e jo duke e bllokuar situatën.

Unë mendoj që nëse ata kanë vullnet politik për ta zhbllokuar edhe për t'i nisur proceset, mund ta bëjnë këtë punë. Krejt çka duhet, duhet të ulen edhe të bisedojnë.

Nëse do të jetë zyrtarizimi i zonjës Osmani si kandidaturë, që përflitet shpeshherë edhe të paktën referuar nga vetë zonja Osmani që do të jetë për një mandat të dytë, a do të besohet nga nga LDK-ja apo ka një lloj ndasie mes jush? Pra që do ta mbështesni apo jo zonjën Osmani për një mandat të dytë

Nuk është biseduar diçka konkrete ende, nuk e dimë kush do të jetë kandidat nga, nga qeveria e tanishme, domethënë nga, nga grupi i Partisë Vetëvendosje.

Kështu që hipotetikisht, nëse vihet ajo punë, unë mendoj që zonja Osmani i ka shumë më shumë borxh LDK-së se sa i ka LDK-ja zonjës Osmani.

LDK-ja e ka krijuar atë kuorumin herën e kaluar pa asnjë përfitim, edhe i kemi mundësuar zonjës Osmani që të zgjidhet presidente, pikërisht me qëndrimin tonë në sallë, pa asnjë kërkesë për LDK-në.

Kështu që, sot mendoj që duhet ngritur pyetja ndryshe: çfarë përfiton LDK-ja prej kësaj? Jo çfarë përfiton zonja Osmani. Mendoj që LDK-ja i është përgjigjur kërkesës në vitin 2021 edhe për shkak të formimit të institucioneve, për shkak të gjendjes në të cilën ishte Kosova në atë moment, ne kemi vendosur që të qëndrojmë në sallë pa kërkuar asnjë gjë për vete si parti.

Mendoj që këtë moment është mirë të bisedohet për një marrëveshje politike, edhe të gjendet një person i përbashkët që e mbron vullnetin e qytetarit e jo vullnetin e një partie të caktuar politike.

Por në këndvështrimin tuaj, ndoshta dhe personal, pse jo, a është ndoshta dhe në interes të zotit Kurti një mandat i dytë për zonjën Osmani?

Nuk e di, kështu si politikan, e këtu po e them si Ermal, jo si LDK, sepse nuk është qasja e LDK-së, nuk po e shoh një diçka të tillë. Nuk po e shoh që zoti Kurti e ka plan kandidimin e saj. Ndoshta jam gabim, por së paku në bazë të asaj që po lexoj.