PRANGA NJERIUT TË BESUAR TË MADUROS/ Arrestimi i Saab sinjalizon kthesë në marrëdhëniet SHBA Venezuelë

Aleati i ngushtë i Nicolas Maduros, Alex Saab, raportohet sw wshwt  arrestuar sërish. Zyrtarë amerikanë thonë se ai pritet të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara, por nga Karakasi ka mohime dhe paqartësi mbi operacionin.

Alex Saab, biznesmeni kolumbiano-venezuelan i konsideruar për vite si njeriu i besuar i ish-presidentit Nicolás Maduro, raportohet se është arrestuar në një operacion të përbashkët mes autoriteteve amerikane dhe atyre venezuelane.

Sipas një zyrtari të lartë amerikan, 54-vjeçari pritet të ekstradohet drejt Shteteve të Bashkuara në ditët në vijim, ku përballet me akuza për korrupsion dhe pastrim parash. Në të njëjtin aksion, sipas raportimeve, është ndaluar edhe Raul Gorrin, pronari i rrjetit televiziv “Globovision”.

Megjithatë, ngjarja është shoqëruar me deklarata kontradiktore. Avokati i Saab i ka quajtur raportimet “lajme të rreme”, ndërsa gazetarë pranë qeverisë në Venezuelë kanë mohuar arrestimin. Edhe kryeparlamentari Jorge Rodríguez tha se nuk ka informacion zyrtar për ndalimin.

Nëse konfirmohet, ky zhvillim shihet si një sinjal i një bashkëpunimi më të ngushtë mes Uashingtonit dhe autoriteteve në Karakas. Aktualisht, strukturat e zbatimit të ligjit në Venezuelë drejtohen nga Delcy Rodríguez, e cila raportohet se ka mbështetur koordinimin me palën amerikane.

Alex Saab nuk është i panjohur për drejtësinë amerikane. Ai u arrestua në vitin 2020 në Kepin e Gjelbër dhe u mbajt në SHBA për tre vite nën akuza për përfitime të paligjshme që arrinin në qindra miliona dollarë. Në vitin 2023 u lirua në kuadër të një shkëmbimi të burgosurish dhe u prit si hero në Venezuelë, madje u emërua edhe ministër i Industrisë.