Biseda telefonike me Donald Trump, Xi Jinping: Çështja më e rëndësishme që u diskutua ishte ajo e Tajvanit
Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai kinez Xi Jinping kanë zhvilluar një bisedë telefonike, ku kanë diskutuar marrëdhëniet SHBA-Kinë, me fokus Tajvanin, tregtinë dhe konfliktet ndërkombëtare, gjatë një telefonate që u cilësua pozitive nga të dy palët.
Presidenti kinez Xi Jinping e ka cilësuar Tajvanin si “çështjen më të rëndësishme” në marrëdhëniet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara gjatë një telefonate me presidentin amerikan Donald Trump.
Sipas mediave shtetërore kineze, Xi i kërkoi Trump të tregojë “kujdes” në furnizimin me armë për ishullin, duke theksuar se Pekini e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të tij dhe se duhet të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial.
Telefonata u përshkrua nga Trump si “e shkëlqyer” dhe “e gjatë dhe e detajuar”. Ai theksoi rëndësinë e marrëdhënieve me Kinën dhe raportin personal me Xi, duke shtuar se Pekini po shqyrton mundësinë për të blerë rreth 20 milionë tonë sojë amerikane, nga rreth 12 milionë tonë aktualisht. Gjatë bisedës, dy liderët diskutuan gjithashtu luftën e Rusisë në Ukrainë, situatën në Iran si dhe bashkëpunimin energjetik, përfshirë blerjet kineze të naftës dhe gazit nga SHBA.
Çështja e Tajvanit mbetet një nga pikat më të ndjeshme në marrëdhëniet dypalëshe. Kina ka deklaruar prej kohësh synimin për ribashkim me ishullin dhe nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës. Nga ana tjetër, SHBA nuk ka marrëdhënie zyrtare diplomatike me Tajvanin, por mbetet furnizuesi kryesor i armëve për ishullin. Në dhjetor, administrata Trump miratoi një paketë shitjeje armësh për Tajvanin me vlerë rreth 11 miliardë dollarë, përfshirë sisteme raketore dhe artileri të avancuar.
Xi deklaroi se nëse të dy vendet bashkëpunojnë në frymën e barazisë, respektit dhe përfitimit të ndërsjellë, mund të gjenden zgjidhje për shqetësimet e secilës palë. Po atë ditë, lideri kinez zhvilloi edhe një takim virtual me presidentin rus Vladimir Putin, ku u vlerësua forcimi i marrëdhënieve mes Pekinit dhe Moskës
