Agjencia amerikane akuzon Nike: Diskriminim ndaj njerëzve të bardhë

Agjencia Federale e Zbatimit të Ligjit për Punësimin në SHBA i kërkoi një gjykate të mërkurën të zbatojë një urdhër-paraqitjeje kundër Nike, duke akuzuar prodhuesin e veshjeve dhe pajisjeve sportive për praktika diskriminuese kundër të bardhëve.

Bëhet fjalë për Komisionin e Mundësive të Barabarta në Punësim (EEOC), agjencinë federale përgjegjëse për zbatimin e ligjit mbi ndalimin e diskriminimit në punësim, e cila deklaroi në një dosje gjyqësore se Nike "nuk ofroi të gjithë informacionin e kërkuar" si pjesë e hetimit. Agjencia i kërkoi një gjykate federale në Misuri të urdhëronte zbatimin e urdhrit të gjykatës.

Sipas dokumentit, drejtoresha e EEOC, Andrea Lucas, tha në vitin 2024 se Nike shkeli ligjin duke diskriminuar punonjësit e bardhë, aplikantët për punë dhe pjesëmarrësit në programet e trajnimit, si dhe duke vendosur një objektiv prej 30 përqind të pozicioneve drejtuese që të mbahen nga pakicat etnike.

Presidenti Donald Trump emëroi Lucas në krye të agjencisë në nëntor, pasi e emëroi atë si anëtare të komisionit në vitin 2020. Lucas kundërshton programet e Diversitetit, Barazisë dhe Përfshirjes (DEI).Në përgjigje, Nike vlerësoi se kërkesa e EEOC përfaqëson një "përshkallëzim të habitshëm dhe të pazakontë" dhe tha se po vepron me "besim të mirë" në hetim.

“Ne kemi ndarë mijëra faqe dokumentesh dhe përgjigje të detajuara me shkrim dhe jemi në proces të ofrimit të informacionit shtesë”, tha Nike në një deklaratë dërguar AFP-së, duke shtuar se kompania është “e përkushtuar ndaj praktikave të drejta dhe të ligjshme të punësimit” dhe pajtueshmërisë me të gjitha ligjet në fuqi kundër diskriminimit .

Në vitet e fundit, Nike ka tërhequr vëmendjen edhe për paraqitjet politike, duke përfshirë një fushatë reklamuese me ish-lojtarin e futbollit amerikan Colin Kaepernick, i cili në vitin 2016 u gjunjëzua gjatë interpretimit të himnit kombëtar amerikan si shenjë proteste kundër dhunës policore ndaj pakicave, gjë që shkaktoi dënim nga disa konservatorë amerikanë, përfshirë Trump.