Tragjedi në ishullin grek të Kios/ Përplaset anija me emigrantë, humbin jetën 15 prej tyre
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në brigjet e ishullit grek të Kios, ku një anije me emigrantë u përplas me një mjet të Rojës Bregdetare Helenike, duke shkaktuar vdekjen e 15 personave. Incidenti ndodhi në orët e vona të së martës, ku pas fundosjes së anijes së emigrantëve, 14 trupa u gjetën në det, ndërsa një grua humbi jetën më vonë në spital.
Autoritetet greke njoftuan se gjithsej 25 persona, përfshirë 7 burra, 7 gra dhe 11 të mitur, u shpëtuan dhe u transportuan në Spitalin Skylitseio për trajtim mjekësor. Gjithashtu, dy anëtarë të ekuipazhit të Rojës Bregdetare pësuan lëndime dhe po marrin ndihmë mjekësore në të njëjtin spital.
Sipas versionit zyrtar të Rojës Bregdetare Greke, anija e emigrantëve nuk iu përgjigj sinjaleve dhe thirrjeve për të ndaluar. Përkundrazi, anija kreu një manovër të papritur, duke goditur anën e djathtë të mjetit patrullues dhe u fundos menjëherë pas përplasjes.
Pas incidentit, nisi një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi ku morën pjesë katër anije të Rojës Bregdetare, një anije private me zhytës, si dhe një helikopter i Forcave Ajrore Greke.
Sa i përket gjendjes së të mbijetuarve, katër prej emigrantëve ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të dëmtimeve serioze në organet jetësore dhe në kokë. Tre prej tyre i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale. Mes të shtruarve në spital ndodhen edhe dy gra shtatzëna.
