Mediat gjermane dhe intervista në Indi, Vjosa Osmani në qendër të vëmendjes ndërkombëtare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është në qendër të vëmendjes mediatike ndërkombëtare. Mediat gjermane shkruajn se ajo po kërkon mbështetje në SHBA për rizgjedhjen. Ndërkohë, në një intervistë për India Today, Osmani foli për fuqizimin e grave në politikë dhe paqe. Dy narrativa të ndryshme që e vendosin presidenten në fokusin diplomatik dhe politik.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po komentohet gjerësisht në mediat ndërkombëtare në lidhje me përpjekjet e saj për të siguruar një mandat të dytë presidencial.

Në një analizë të publikuar në Mediat gjermane sugjerohet se ajo po përpiqet të sigurojë mbështetje nga rrethi i presidentit amerikan Donald Trump për të forcuar pozitat e saj politike në vend.

Gazeta gjermane përmend edhe dinamika të brendshme politike në Kosovë dhe raportet me kryeministrin Albin Kurti, duke theksuar se mbështetja e brendshme parlamentare për Osmanin mbetet e pasigurt.

"Osmani po e luan lojën e saj…Ajo synon një mandat të dytë dhe për këtë i nevojitet mbështetja e Parlamentit të Kosovës, deputetët e të cilit e zgjedhin kreun e shtetit. Por, këtë mbështetje nuk e ka. Si zëvendësim për mungesën e mbështetjes së brendshme, Osmani prej javësh po përpiqet të paraqitet si ‘kandidatja e Trumpit’."

Në një tjetër zhvillim, presidentja Osmani ka dhënë një intervistë për median indiane India Today, ku fokusi ishte krejtësisht ndryshe. Ajo foli për rolin e grave në politikë dhe në proceset e paqes, duke theksuar se përfshirja e grave sjell zgjidhje më të qëndrueshme.

“Është shumë e rëndësishme dhe padyshim numri i grave në krye të shtetit dhe qeverive është ende i vogël. Mendoj se diku tek 20, mes rreth 200 vendeve drejtohen nga gra. Gjë që për fat të keq nuk përputhet me faktin se gjysma e botës përbëhet nga gra.”

Mes kritikave dhe mesazheve për barazi gjinore, presidentja e Kosovës mbetet një figurë aktive në skenën ndërkombëtare.