Partizani feston 80 vite histori, trofe dhe lavdi në futbollin shqiptar
Klubi “Partizani” feston sot 80-vjetorin e themelimit. Më 4 shkurt 1946 nisi rrugëtimi me klubin e futbollit, ndërsa të kuqtë u përfaqësuan më pas edhe në sportet e tjera.
“80 vite Histori, Pasion, Krenari. Dekada të mbushura me Triumfe dhe Lavdi. 4 Shkurt 1946 data e krijimit të klubit Legjendar, protagonist absolut në futbollin shqiptar”, shkruan klubi në faqen zyrtare.
Gjatë historisë së tij në futboll, Partizani regjistron 17 tituj kampion, 15 Kupa dhe tri Superkupa të Shqipërisë:
Kampion në Superligë: 1947, 1948, 1949, 1954, 1957, 1958, 1959, 1961, 1963, 1964, 1971, 1979, 1981, 1987, 1993, 2019, 2023;
Fitues i Kupës së Shqipërisë: 1948, 1949, 1957, 1958, 1961, 1964, 1966, 1968, 1970, 1973, 1980, 1991, 1993, 1997, 2004;
Kampion i Ballkanit: 1970;
Fitues i Superkupës së Shqipërisë: 2019, 2023.
Të kuqtë gëzojnë titullin “Nderi i Kombit” nga viti 2016. Po ashtu me rastin e 70-vjetorit nga FSHF u mor titulli “Legjenda Futbollit Shqiptar”.
Ekipi i kuq është i vetmi ekip shqiptar që ka fituar një trofe ndërkombëtar, në vitin 1970 ai fitoi Kupën Ballkanike për klube, i cili ishte një kompeticion i luajtur në vitet 1960-1993 ku merrnin pjesë vetëm klubet sportive ballkanike të Shqipërisë, Jugosllavisë, Bullgarisë, Rumanisë, Greqisë dhe Turqisë.
Gjithashtu është një ndër skuadrat më të njohura shqiptare në arenën ndërkombëtare, kështu KF Partizani ka marrë pjesë tetë herë në ligën e kampionëve Evropian, tri herë në kupën UEFA, një herë ka luajtur për kupën Intertoto, katër herë për kupën e fituesve të kupave dhe pesë herë për kupën e Ballkanit. Rezultatet më të suksesshme kanë qënë fitoret 1-0 kundër Celtic dhe Torinos në Tiranë.
Ndër arritjet e tjera jashtë Shqipërisë janë edhe dy medalje argjendi në Spartakiadat e Lajpcig (1958) dhe Hanoit (1963).
Ndeshja e parë zyrtare me shkrimin Partizani u luajt më 7 prill 1946, ndërsa u fitua kundër 17 Nëntorit me rezultatin 2-0, me golat e Osman Pengilit dhe Qamil Telitit.
Kryeqytetasit ishin po ashtu të parët ndërkohë, që përfaqësuan Shqipërinë në një kompeticion europian. Pikërisht ndaj Norrkoping në vitin 1962. Titulli i fundit kampion është fituar në vitin 2023. Arritjet më të mëdha janë në kualifikueset e Ligës së Europës dhe Konferencës ku Partizani ka provuar fazën “play off”.
Këto dhe shumë trofe të tjerë e konfirmojnë FK PARTIZANIN, një prej klubeve emblemë të futbollit shqiptar dhe ndërkombëtar.

