Abu-Dabi pret “Open Masters Games 2026”, 20 mijë sportistë nga e gjithë bota

“Open Masters Games Abu Dhabi 2026”, eventi më i madh dhe më gjithëpërfshirës multisportiv i organizuar ndonjëherë në Lindjen e Mesme, do të zhvillohet në Emiratet e Bashkuara Arabe, nga 6-15 shkurt, me pjesëmarrjen e mbi 20 mijë sportistëve nga e gjithë bota.

Lojërat do të zhvillohen në disa lokacione në Abu Dhabi, Al Ain dhe Al Dhafra, duke përfshirë konkurrentë mbi moshën 30 vjeç, pa pasur nevojë për përvojë të mëparshme sportive. Programi i eventit përfshin 38 disiplina sportive.

Hapja zyrtare do të shoqërohet me një ceremoni madhështore në stadiumin “Zayed Sports City”, ndërsa gara në sporte moderne si futbolli, atletika, noti dhe xhudoja do të zhvillohen paralelisht me disiplina tradicionale vendase, përfshirë garat me deve, skifterinë dhe Al Tabaa, një lojë tradicionale emiratase me shkop dhe top.

Në qendër të “Open Masters Games Abu Dhabi 2026” qëndrojnë edhe historitë njerëzore frymëzuese të pjesëmarrësve, të cilët ndryshojnë në moshë nga 30 vjeç deri në mbi 90 vjeç.

Eventi përfshin gjithashtu 18 gara të dedikuara për persona me aftësi të kufizuara, mes tyre hark, atletikë dhe boëling.

Sipas organizatorëve, Lojërat synojnë të promovojnë përfshirjen sociale dhe aktivitetin fizik, me fokus të veçantë tek të moshuarit, si dhe të forcojnë më tej rolin e Abu-Dabit si një destinacion kryesor global për sportin.

Të gjitha garat do të zhvillohen në mbi 20 impiante sportive ekzistuese të standardeve ndërkombëtare, pa ndërtim objektesh të reja, në funksion të një trashëgimie të qëndrueshme dhe afatgjatë.