Orientimi i diplomës, Xhihani: Mbi 44% e të rinjve zgjedhin profesionin e gabuar

Zgjedhja e degës universitare apo shkollës profesionale përfaqëson një nga udhëkryqet më të rëndësishme në jetën e maturantëve, një vendim që shpesh merret me nxitim, nën presion ose pa një orientim të qartë, duke çuar në një mospërputhje dramatike mes aftësive të tyre dhe nevojave reale të tregut të punës.

Në një diskutim me ekspertë të arsimit dhe punësimit në studion e emisionit “Epiqendër” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Sonila Musai u evidentuan jo vetëm sfidat, por edhe gabimet kryesore që bëjnë të rinjtë në këtë fazë vendimtare.

Problemi kryesor që theksohet është mospërputhja alarmante mes kualifikimeve dhe tregut të punës.

Sipas ekspertit të punësimit, Arbër Xhihani, studimet e vitit 2023 tregojnë se mbi 44% e fuqisë punëtore nuk i përshtatet me aftësitë e saj nevojave reale të tregut.

Kjo, sipas tij, ndodh sepse zgjedhja e karrierës shpesh i lihet rastësisë ose rezultateve të momentit, pa një plan të mirëfilltë dhe afatgjatë.

Maturantët përfundojnë duke aplikuar për degë të shumta pa lidhje me njëra-tjetrën, duke treguar mungesë të një vizioni të qartë për të ardhmen.

“Momenti kyç është ai i zgjedhjes apo përcaktimit të të të ardhmes së studentëve apo maturantëve. Mendoj se nuk duhet lënë vetëm në atë momentin kritik të plotësimit të formularëve apo zgjedhjes së një dege universitare apo një shkolle profesionale.

Do të duhet të jetë një rrugëtim shumë më i gjatë, i nisur sa më herët në mënyrë që të kuptohet sa më mirë aftësia e secilit nga studentët dhe të projektojnë veten e tyre në një zgjedhje sa më të përshtatshme në varësi të aftësive që ato kanë apo edhe të mundit që ato kanë investuar në vite, qoftë në shkollat fillore apo në shkollat e mesme.

Sepse shpeshherë zgjedhja e universitetit i lihet rastësisë apo i lihet edhe momentit në varësi të rezultateve që ato marrin në provimet apo në përmbledhjen e diplomës së shkollës së mesme, pa pasur një plan apo pa pasur një ide të saktë se çfarë ato kanë dëshirë të studiojnë, apo ku ato kanë prirje të vazhdojnë studimet universitare apo profesionale dhe më pas në marrjen e një diplome se çfarë do të munden të bëjnë nesër në tregun e punës.

 Kjo është vendimtare për të mos arritur sërish në pikën ku shpeshherë ato çfarë ë ofrohen në tregun e punës nuk përputhen me nevojat apo kërkesat reale. Është një problem, duhet thënë që nuk është vetëm në tregun e punës në Shqipëri, është një problem global edhe në Evropë.

Sipas studimeve të vitit 2023, mbi 44% e tregut apo fuqisë punëtore nuk përputhte aftësitë e tyre me nevojat reale që kishte tregu i punës.

Pra shpeshherë ne orientohemi në varësi të momentit se çfarë ne mendojmë se jemi të gatshëm të bëjmë pa pasur një plan të mirëfilltë për të ardhmen dhe për të parë se ku tregu i punës evoluon dhe për të plotësuar pikërisht ato nevoja apo vakanca”, tha Xhihani.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "EPIQENDËR"