Mbushi makinën me karburant me monedha false, pranga 24-vjeçarit në Tiranë
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare kanë ndaluar shtetasin E. K., 24 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte shpallur më parë në kërkim.
Sipas Policisë, 24-vjeçari dyshohet se më datë 24.01.2026 ka blerë karburant në një subjekt tregtar në rrugën “Egnatia”, duke përdorur 2 kartëmonedha me prerje 100 dollarë amerikanë, të dyshuara si të falsifikuara. Kartëmonedhat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se E. K. ishte në kërkim edhe nga Policia e Vlorës, për dy raste të tjera të së njëjtës veprimtari kriminale, të kryera gjatë muajit janar 2026. Hetimet vijojnë për të zbardhur raste të tjera të mundshme në këtë fushë, në të cilat dyshohet se mund të jetë përfshirë 24-vjeçari.
