Katër familje të izoluara në Kukës prej rrëshqitjes së dheut, Familja Hysenaj akuza institucioneve: Kërkojmë ndërhyrje urgjente

Katër familje në Kukës ndodhen të izoluar prej katër ditësh për shkak të bllokimit të rrugës nga rrëshqitjet e dheut. Si pasojë e rrëshqitjes së dheut janë dëmtuar edhe banesa dhe stallat e bagëtive. Siç raportohet, shkak i rrëshqitjes së dheut dyshohet se është devijimi i rrjedhës së ujit nga një hidrocentral privat.

I vetmi që i ka vizituar familjet e izoluara është kryetari i Partisë Demokratike, dega Kukës, Rraman Demaj. Ai ka denoncuar hapur kompaninë e hidrocentralit privat, duke theksuar se kjo kompani nuk ka përmbushur detyrimet e kontratës së nënshkruar që në vitin 2015 me familjet e prekura.

Gjithashtu, Demaj ka akuzuar institucionet për neglizhencë dhe indiferencë, duke i lënë këto familje të përballen të vetme me pasojat e kësaj fatkeqësie. Po ashtu bëhet me dije se familjes Hysenaj do t'i vërë në dispozicion të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të ndjekur penalisht përgjegjësit e katastrofës.

Ndërkohë, familjet e fisit Hysenaj vazhdojnë të jetojnë të izoluar, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe një zgjidhje.