Legjionarët, Seferi gjen rrugën e rrjetës, Qazim Laçi jep asist

Paraqitjet pozitive të futbollistëve kuqezi që aktivizohen me klubet e tyre, vijojnë të jenë pozitive duke konfirmuar formën e mirë dhe rolin e rëndësishëm në skuadrat respektive në kampionatet europiane.

Federata Shqiptare e Futbollit njofton se Qazim Laçi ishte protagonist në Turqi me Rizesporin, duke dhënë asist në barazimin 2-2 ndaj Basaksehir. Mesfushori i Kombëtares asistoi në golin e dytë të shënuar nga Mihaila në minutën e 68-të, duke regjistruar asistin e katërt sezonal në 19 ndeshje kampionati. Laçi numëron gjithashtu edhe 3 gola këtë sezon, duke qenë një nga elementët më konstantë të skuadrës së tij.

Sipas FShF-së, paraqitje shumë të mirë zhvilloi edhe Taulant Seferi me Bodrumspor. Sulmuesi shqiptar shënoi një gol në fitoren e thellë 3-0 ndaj Serik Spor, duke arritur kuotën e 12 golave në 22 ndeshje kampionati, ndërsa ka dhuruar edhe 4 asiste.

Titullare me klubet e tyre këtë javë ishin gjithashtu Thomas Strakosha, Mario Mitaj, Berat Gjimshiti, Ylber Ramadani, Juljan Shehu dhe Jasir Asani, të cilët vijojnë të japin kontribut të rëndësishëm.

FShF thekson se “paraqitjet e futbollistëve kuqezi jashtë vendit mbeten një sinjal pozitiv për Kombëtaren, teksa forma dhe aktivizimi i rregullt në nivele të larta rrit konkurrencën dhe alternativat në prag të sfidave të radhës ndërkombëtare”.