Tragjedia që bashkoi Greqinë/ Guri: Detajet e reja nga aksidenti ku vdiq edhe tifozi shqiptar
Një aksident tragjik në Rumani, ku humbën jetën shtatë tifozë të skuadrës greke të PAOK-ut, mes të cilëve edhe një shqiptar, ka tronditur thellë opinionin publik në Greqi, por ka shërbyer edhe si një moment i paprecedentë solidariteti në botën sportive.
Ngjarja, e cila ishte kryelajmi i ditëve të fundit në mediat helene, po ndiqet me vëmendje të lartë teksa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve.
Për të folur më tepër në lidhje me këtë temë, nëpërmjet një lidhje direkte në "Ora Sport", ishte gazetari Etmond Guri.
"Pa diskutim ka qenë kryelajm i ditëve të fundit.
Jo për vetë faktin se ishte një aksident, por për faktin se e tronditi shoqërinë, shtatë të humbura, shtatë të rinj, të moshës së re, të cilët po shkonin për të ndjekur ndeshjen e radhës të ekipit të tyre të zemrës dhe e papritur, në një mënyrë të padrejtë, një aksident, humbasën jetën.
Pavarësisht se çfarë është komentuar, ajo që është, mendoj, më e rëndësishme është fakti që si rrallëherë në Greqi, do të thoja është hera e parë, të paktën në këto 35 vjet që ne jetojmë në Greqi si emigrantë në Greqi, nuk kemi hasur një rast analog ku tifozë të një ekipi që kanë humbur jetën në një rast të tillë, të kenë marrë mbështetjen pa kushte të çdo lloj ekipi tjetër apo të tifozëve të ekipeve të tjera.
Dhe kjo, mendoj, është mesazhi më domethënës dhe më kuptimplotë në këtë tragjedi kaq të madhe.
Ajo që ka ndodhur, hetimet janë, ose më saktë, janë në dy pista lidhur me aksidentin e madh.
Ose një defekt, një avari në sistemin e timonit, pasi duke qenë një makinë e modeli i fundit ka një sistem automatik të parakalimit dhe shpejtësisë së timonit, bllokohet dhe kjo dyshohet si shkak kryesor.
Ose ajo që lihet e hapur si si opsion është fakti që ndoshta shoferi i automjetit ose ndodhej nën ndikimin e lëndëve, të substancave të ndryshme, nën alkool, ose ka pësuar një atak zemre.
Gjë e cila pritet për t'u verifikuar nga hetimet e njëpasnjëshme që po bëhen në Rumani dhe që po ndiqen me një intensitet shumë të lartë në Greqi, ku që në momentin e parë ambasada greke në Rumani ka qenë në vendngjarje, ka ofruar ndihmë, vetë shteti grek ka qenë thuajse në gatishmëri duke ofruar dy avionë ushtarak dhe ka transportuar tre të lënduarit në Greqi. Pra ka një vëmendje shumë të shtuar për zbardhjen e gjithë dinamikës.
Nga ana tjetër, vlen të theksojmë faktin që përfaqësuesit e ekipit të Lyonit kanë përcjellë, kanë përcjellë ata ngushëllimet e tyre familjarëve dhe ekipit të PAOK-ut.
E gjithë Greqia në fakt është tronditur nga kjo ngjarje dhe e ndjek me shumë vëmendje këtë zhvillim dhe kryesisht përfundimin e hetimeve rreth shkaqeve të këtij aksidenti tragjik.
Është mbajtur një minutë heshtje në çdo, çdo ndeshje, çdo eveniment sportiv.
Veç kësaj, në çdo ndeshje ka patur pankarta dhe me mesazhe shumë domethënëse në mbrojtje të, ose për nder të viktimave. Aq më tepër, në stadiumin e PAOK-ut në Selanik janë me mijëra e mijëra qirinj apo lule që kanë shkuar qytetarë të thjeshtë dhe tifozë të ekipeve të tjera në nder të kujtimit të tyre", u shpreh Guri.

