Hakerë shantazhojnë prindër pas sulmit kibernetik ndaj një shkolle belge
Një shkollë e mesme në Belgjikë ka rënë pre e një sulmi kibernetik, ndërsa hakerët po shantazhojnë prindërit me publikimin e të dhënave të ndjeshme të fëmijëve nëse nuk paguhet shpërblim.
Një sulm i rëndë kibernetik ka goditur një shkollë të mesme në Belgjikës, duke vënë në rrezik të dhënat personale të nxënësve dhe stafit. Sipas mediave belge, hakerët kanë depërtuar në sistemet e shkollës menjëherë pas pushimeve të Krishtlindjeve.
Sulmuesit dyshohet se kanë enkriptuar serverët e shkollës dhe fillimisht kanë kërkuar 100 mijë euro shpërblim.
Më vonë, kërkesa u ul në 15 mijë euro. Drejtuesit e shkollës refuzuan të negociojnë, duke deklaruar se, për arsye etike dhe sipas këshillave të autoriteteve, nuk do t’u binden kërkesave të kriminelëve.
Pas refuzimit, hakerët kaluan në një fazë tjetër presioni duke kontaktuar drejtpërdrejt prindërit përmes emailit.
Në mesazh, ata pretendojnë se kanë pasur qasje në sistemet e shkollës për më shumë se një vit dhe se kanë vjedhur rreth 45 gigabajt të dhëna sensitive.
Mes tyre përmenden karta identiteti, informacione mbi shëndetin mendor, diploma dhe të dhëna financiare të institucionit.
Shantazhi është i drejtpërdrejtë: ose shkolla paguan 15 mijë euro, ose prindërit duhet të paguajnë nga 50 euro për fëmijë. Në të kundërt, sipas tyre, të dhënat do të publikohen dhe shiten në Dark Web.
Ekspertët e sigurisë kibernetike theksojnë se sulmi nuk duket të jetë nga grupi famëkeq LockBit, por nga imitues. Autoritetet belge kanë nisur hetimet për të verifikuar nëse të dhënat janë komprometuar realisht.
Shkolla u ka bërë thirrje prindërve të mos reagojnë ndaj mesazheve, të mos paguajnë dhe të mos klikojnë në asnjë lidhje të dyshimtë.
Rasti ka ngritur shqetësime të mëdha mbi sigurinë digjitale në institucionet arsimore dhe rrezikun që paraqesin sulmet kibernetike ndaj fëmijëve dhe të dhënave të tyre personale. Hetimet vijojnë.

