SHBA-të rihapin misionin e tyre në Karakas pas 7 vitesh ndërprerje diplomatike me Venezuelën

Pothuajse një muaj pas operacionit ushtarak amerikan që rrëzoi nga pushteti ish-presidentin venezuelian Nicolas Maduro, Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një hap të ri drejt normalizimit të marrëdhënieve me Karakasin.

E ngarkuara me punë për Venezuelën, Laura Dogu, mbërriti në vendin e Amerikës së Jugut të shtunën për të rihapur misionin diplomatik amerikan, i cili ka qenë i mbyllur për shtatë vjet.

"Sapo kam mbërritur në Venezuelë. Unë dhe ekipi im jemi gati për të punuar", konfirmoi Dogu në një mesazh të postuar në llogarinë X të ambasadës amerikane në Karakas, të shoqëruar me imazhe të mbërritjes së saj në aeroportin ndërkombëtar Maiquetia. Rihapja shënon një moment historik në rivendosjen graduale të marrëdhënieve dypalëshe, të ndërprera në shkurt të vitit 2019 pas mbështetjes së presidentit të atëhershëm Donald Trump për udhëheqësin e opozitës Juan Guaido.

"Sapo kam mbërritur në Venezuelë. Unë dhe ekipi im jemi gati të fillojmë punën. – LFD"

Gjithashtu, nëpërmjet rrjeteve sociale, ministri i jashtëm venezuelian, Yván Gil, tregoi se mbërritja e diplomatit është pjesë e një agjende të përbashkët, "që synon përcaktimin e një plani për punën mbi çështjet me interes dypalësh, si dhe adresimin dhe zgjidhjen e dallimeve ekzistuese përmes dialogut diplomatik dhe në bazë të respektit të ndërsjellë dhe të drejtës ndërkombëtare".

Hapi përpara shkrirjes së marrëdhënieve ishte vizita, më 9 janar, e një delegacioni nga Administrata Trump në Karakas, për të vlerësuar kushtet "teknike dhe logjistike" për rivendosjen e funksioneve diplomatike. Ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello tha në atë kohë se rihapja e ambasadave, "do të na lejojë të kemi përfaqësim konsullor".

Mbërritja e Dogut përkon gjithashtu me njoftimin e një projektligji për amnisti për lirimin e të burgosurve politikë, të paraqitur nga presidentja e përkohshme Delcy Rodríguez. "Është një ligj që do të shërbejë për të riparuar plagët e lëna nga konfrontimi politik", tha ajo.

Sipas Foro Penal, deri më tani janë verifikuar 310 lirime, megjithëse qeveria pretendon se ka liruar më shumë se 600 persona. SHBA-të gjithashtu konfirmuan lirimin e "të gjithë qytetarëve të njohur amerikanë që u ndaluan në Venezuelë"./ Euronews.