Teherani sinjalizon gatishmëri për dialog, por kërkon rikthimin e besimit me Uashingtonin

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka theksuar rëndësinë e ndërtimit të besimit për nisjen e negociatave me Shtetet e Bashkuar të Amerikës, në një kohë tensionesh në rritje mes dy vendeve.

“Fatkeqësisht, ne kemi humbur besimin ndaj SHBA-së si partner negociues”, i tha Araghchi transmetuesit amerikan CNN.

“Duhet ta kapërcejmë këtë mosbesim”, u shpreh ai, kur u pyet se si mund të iniciohet një proces negociues kuptimplotë.

Gjatë fundjavës ishin shfaqur sinjale përparimi drejt bisedimeve mes Uashingtonit dhe Teheranit.

“Disa vende mike në rajon po përpiqen të ndërtojnë besim dhe të përgatisin terrenin për një negociatë kuptimplotë, dhe ne po punojmë me to, duke shkëmbyer mesazhe. Këto kontakte janë  frytdhënëse”, tha Araghchi për CNN

Edhe presidenti amerikan Donald Trump u tha gazetarëve gjatë fundjavës se Irani po “bisedon me ne, seriozisht po bisedon me ne”.

Të shtunën, ministri i Jashtëm i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, u takua në Teheran me Araghchin dhe me Ali Larijanin, sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Sigurisë së Iranit.

Katari mban marrëdhënie të mira si me Teheranin ashtu edhe me Uashingtonin dhe ka ndërmjetësuar edhe më parë mes dy vendeve.

“Një luftë do të ishte një katastrofë për të gjithë”, theksoi  Araghchi.

Ai tha se Irani ka nxjerrë shumë mësime nga lufta e fundit dhe se tani e sheh vendin e tij si të përgatitur mirë, duke shtuar se përgatitja nuk do të thotë se Irani dëshiron luftë.