Ek*ekutohen 4 anëtarë të mafias “Bai”/ Dënimi nga Gjykata kineze si masë kundër rrjeteve të mashtrimeve online

Katër anëtarë të familjes mafioze Bai janë ekzekutuar nga Kina, në kuadër të operacioneve të ashpra kundër rrjeteve të mashtrimeve online që vepronin nga Myanmar dhe që kanë prekur mijëra viktima, kryesisht shtetas kinezë.

Autoritetet kineze kanë ekzekutuar katër anëtarë të familjes Bai, një nga dinastitë më të njohura kriminale që drejtonte qendra mashtrimi në zonën kufitare të Myanmarit. Sipas mediave shtetërore kineze, ata ishin mes 21 personave të dënuar nga një gjykatë në provincën Guangdong për mashtrim, vrasje, plagosje dhe krime të tjera.

Në nëntor të vitit të kaluar, gjykata kishte dënuar me vdekje pesë persona, përfshirë patriarkun e familjes Bai, Bai Suocheng, i cili ndërroi jetë nga sëmundja pas shpalljes së vendimit.

Ekzekutimet vijnë vetëm pak ditë pasi Kina ekzekutoi edhe 11 anëtarë të familjes mafioze Ming, në kuadër të një fushate të gjerë kundër operacioneve të mashtrimeve në Azinë Juglindore.

Për vite me radhë, familjet Bai, Ming dhe grupe të tjera kriminale kontrollonin qytetin kufitar Laukkaing në Myanmar, ku operonin kazino, zona të prostitucionit dhe qendra mashtrimesh kibernetike.

Autoritetet thonë se familja Bai kishte ngritur 41 komplekse për aktivitete mashtruese dhe kazino, ku sipas hetimeve, dhuna, rrahjet dhe torturat ishin të zakonshme.

Gjykata ka deklaruar se aktivitetet kriminale të familjes Bai kanë çuar në vdekjen e gjashtë shtetasve kinezë, vetëvrasjen e një personi dhe plagosjen e shumë të tjerëve.

Perandoria e këtyre familjeve u rrëzua në vitin 2023, kur Pekini mbështeti indirekt ofensivën e grupeve etnike rebele në zonë, pas pakënaqësisë për mungesën e veprimit nga ushtria e Myanmarit kundër mashtrimeve.

Sipas Kombeve të Bashkuara, qindra mijëra persona janë trafikuar për të punuar në qendra mashtrimi online në Myanmar dhe vende të tjera të rajonit, ndërsa viktimat kryesore kanë qenë shtetas kinezë.