Hapet pjesërisht pika kufitare e Rafahut mes Egjiptit dhe Rripit të Gazës

Izraeli ka rihapur pjesërisht pikën kufitare Rafah mes Egjiptit dhe Rripit të Gazës për qarkullimin e pasagjerëve, raportuan sot televizioni egjiptian dhe burime të sigurisë izraelite.

”Pika kufitare është zyrtarisht funksionale për herë të parë pas rreth një viti”, njoftoi televizioni shtetëror egjiptian Al-Qahera News, ndërsa burime të sigurisë izraelite e konfirmuan gjithashtu hapjen.

Ky hap pritet t’u mundësojë palestinezëve të plagosur dhe të sëmurë të largohen nga territori bregdetar, i cili është shkatërruar nga më shumë se dy vite luftë pas sulmeve të 7 tetorit 2023.

Gjithashtu, palestinezët që u detyruan të largohen nga lufta pritet të kenë mundësi të kthehen në Gaza.

Një armëpushim mes Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas është në fuqi që nga tetori, si pjesë e një plani paqeje të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.