Ari dhe argjendi pësojnë ulje “dramatike”/ Metalet e çmuara në trend zbritjeje nga rekordi i janarit

Çmimi i arit ra me mbi 9%, të hënën duke shënuar një rënie dramatike nga rekordi i arritur gjatë janarit. Edhe argjendi humbi rreth 15%, ndërsa shkak i kësaj lëkundje të tregut është  emërimi i Kevin Warsh si kreu i Rezervës Federale amerikane.

Çmimet e arit dhe argjendit kanë pësuar rënie në një përmbysjeje të papritur të trendit rritës që i kishte çuar metalet e çmuara në nivele rekord në fillim të vitit.

Në tregjet aziatike të së hënës, çmimi i arit ra me më shumë se 9%, duke zbritur në rreth 130 euro për gram, nga mbi 160 euro sa kishte qenë në kulmin e janarit.

Ndërkohë, argjendi pësoi një rënie edhe më të thellë, duke humbur rreth 15% dhe duke rënë në afërsisht 2.1 euro për gram.

Ari dhe argjendi kishin arritur nivele historike, pasi investitorët kishin orientuar kapitalin drejt aseteve të sigurta për shkak të pasigurive gjeopolitike, tarifave tregtare të SHBA-së dhe frikës për mbivlerësimin e aksioneve të lidhura me inteligjencën artificiale.

Megjithatë, tregu ndryshoi drejtim të premten, pasi presidenti amerikan Donald Trump nominoi Kevin Warsh, ish-guvernatorin e bankës qendrore, si kryetar të ri të Rezervës Federale.

Ky emërim u prit pozitivisht nga tregjet financiare dhe forcoi dollarin amerikan, i cili u rrit rreth 1% kundrejt valutave kryesore.

Forcimi i dollarit ushtroi presion mbi metalet e çmuara. Ari shënoi rënien më të madhe ditore që nga viti 1983, ndërsa argjendi humbi deri në 27% brenda një dite.

Rënia nuk u kufizua vetëm te metalet.

Çmimi i naftës bruto ra me mbi 5%, për shkak të prodhimit të pandryshuar nga vendet kryesore eksportuese dhe shenjave të uljes së tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit.

Pavarësisht rënies aktuale, viti 2025 ishte një vit rekord për arin, me rritjen më të madhe vjetore që nga viti 1979.