Trajneri i Polonisë: Shqipëria, rival i fortë në “play-off”-in e Botërorit
Kombëtarja Shqiptare e futbollit do të përballet më 26 mars me Poloninë në Varshavë. Sfida e vlefshme për “play-off”-in e Kupës së Botës, që do të zhvillohet këtë verë në ShBA, Kanada dhe Meksikë, e sheh ekipin kuqezi përballë një transfere të vështirë, në përpjekje për të siguruar një biletë mes finalistëve të Botërorit të futbollit.
Trajneri i Polonisë, Jan Urban, ka komentuar situatën në ekipin e tij, ndërsa thekson se Shqipëria është një rival i fortë dhe që nuk duhet nënvlerësuar.
Në një intervistë për “TVP Sport”, me gazetarin Robert Błoński, Urban vëren se Shqipëria u ka shkaktuar probleme polakëve në përballjet e fundit.
“Shqipërinë e njohim më së miri, sepse u përballëm me të në eliminatoret e EURO 2024 dhe të Kupës së Botës 2022. Është kundërshtari më i rëndësishëm, pasi me të luajmë ndeshjen e parë. Ata kanë një ekip me lojtarë teknikisht të përgatitur mirë, që pëson pak gola, por edhe shënon pak. Janë të organizuar dhe të disiplinuar, luajnë në Itali, por edhe në klube aziatike. Janë futbollistë solidë dhe jo rastësisht na shkaktuan probleme rreth dy vite më parë, kur na mundën 2:0 në Tiranë”, theksoi Urban.
Sa i përket Suedisë dhe Ukrainës, ai shtoi se ende nuk është e qartë se me cilën skuadër do të ishte më e favorshme përballja në finale.
“Nëse shohim vetëm eliminatoret, përgjigjja do të ishte e thjeshtë: Suedia ishte më e dobët, pasi nuk fitoi asnjë nga gjashtë ndeshjet. Por ata kanë ende lojtarë shumë të mirë që aktivizohen në klube të forta evropiane. Kohët e fundit diçka nuk funksiononte, por nuk e di çfarë. Në vjeshtë ndërruan trajnerin dhe nën drejtimin e Graham Potter mund të rikthehen në çdo moment në nivelin që u përshtatet aftësive të lojtarëve. Ajo që bënë në eliminatore – katër humbje dhe dy barazime – nuk ishte normale”, tha ai.
Trajneri vijoi më tej duke theksuar se Ukraina paraqet një nivel të ngjashëm me Poloninë, Suedinë dhe Shqipërinë.
“Për kualifikimin do të vendosin detajet, aftësitë dhe individualitetet. Sot mund të themi se lojtarët tanë po luajnë mirë në klube, por ‘play-off’-et janë vetëm pas dy muajsh. Prandaj të mos jetojmë me ditën e sotme, sepse situata mund të ndryshojë në çdo moment – dhe ndryshon. Është dinamike. Nuk duhet të lejojmë të na befasojë asnjë rrethanë”, nënvizoi Urban.

