Berisha, në rrjetet sociale: Më 10 shkurt të tregojmë fuqinë dhe vendosmërinë tonë se ne do jemi fitimtarët në këtë vend
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, u shpreh se më 10 shkurt opozita do të tregojë fuqinë dhe vendosmërinë se ne do jen ë fitimtarët në këtë vend
FJALA E BERISHËS
Të dashur qytetarë dhe qytetare që ndiqni këtë bisedë timen të përjavshme me ju në rrjetet sociale, kam kënaqësinë t’u adresohem ju pas suksesit të rëndësishëm që arritëm më 24 janar në protestën 3-orëshe, në të cilën në realitet brenda dhe jashtë vendit u dridhen themelet e kalbësirës Rilindje apo organizatë kriminale të kryesuar nga Edi Rama.
Siç konstatoni, ka një panik të madh nga narko-nomenklatura, nga organizata kriminale dhe tellallët e saj në mediat e blera.
Kanë një javë që nuk pushojnë me tërbim kundër qytetarëve protestues, protestës dhe përpiqen me shiringa të mbajnë, t’i japin zemër Edi Ramës, i cili ç’është e vërteta është në kohërat e fundit të regjimit të tij të urryer për shqiptarët.
Siç e patë vetë, ai nuk dorëzon dot për asnjë rrethanë, asnjë mundësi imunitetin e Lubi Ballukut sepse e di se duhet të dorëzojë lëkurën e tij, karrigen e tij.
Dje u paraqit në Divjakë para fermerëve me Ballukun në krah, por i tronditur gjer në palcë, kërcënues dhe arrogant ndaj fermerëve që haptas i shprehnin pakënaqësitë e mëdha, denonconin politikat e tij kundër fermerëve shqiptarë.
Pra, mund të themi se regjimi po ecën drejt agonisë dhe gjithçka varet nga ne, nga opozita shqiptare.
Gjithçka varet nga kryengritja paqësore që nuk duhet të ndalet kurrë gjer në përmbysjen e Edi Ramës.
Pikërisht në këtë kuadër, ne thirrëm protestën tjetër me datën 10 shkurt, ditën e martë, në mënyrë që të marrim dhe njëherë paralajmërimin më serioz për largimin e tyre nga pushteti.
Miq, gjatë këtyre ditëve janë me qindra qytetarë dhe qytetare që kërkojnë me shumë të drejtë që në protestë të mos largohemi nga sheshi pa realizimin e qëllimit tonë.
Kjo është një kërkesë jashtëzakonisht e drejtë dhe është rruga e vetme efikase për të larguar këtë regjim nga pushteti.
Por kjo kërkon nga secili nga ne që të bindim gjithnjë e më shumë qytetarë se qëndrimi në shesh për aq kohë sa ta largojmë regjimin është rruga më e sigurt e fitores tonë.
U garantoj se drejt asaj në mënyrë të pandalshme do të shkojmë.
Edi Rama të bëjë ç’të dojë, mbrapa diellit të shkojë, shpresë nuk ka, do shkojë aty ku e ka vendin, aty ku e kanë vendin hajdutët dhe kriminelët që qeverisin një vend me lidhje të forta me kartelet e drogës, krimin dhe farsë elektorale.
Ndaj dhe duke u falenderuar shumë për atë angazhim të jashtëzakonshëm që treguat më 24 janar, u ftoj të shumëfishojmë forcat dhe të bashkohemi në protestën e ardhshme.
Të tregojmë fuqinë tonë, të tregojmë vendosmërinë tonë, të tregojmë se ne do jemi fitimtarët në këtë vend.
Pyetje – përgjigjet
Pirro Bano: Kam një mendim, pse mos të bëhen protesta në të njëjtën kohë në 4-5 qytetare të ndryshme sepse mendoj se do mblidhen më shumë njerëz dhe do kenë efekt.
Sali Berisha: Të falënderoj shumë për mendimin dhe sugjerimin tuaj. Ju rikujtoj këtu se, pasardhësit direkt të bllokmenëve nuk pyesin për Shqipërinë tjetër, përveç Tiranën e karrigeve.
Më kujtohet si sot, kur Ramiz Aliaj thoshte se, Kavajën nuk e qeverisim ne, por ai gjithnjë kishte hallin e Tiranës. Ndaj dhe ne duhet të ua bëjmë ferr kësaj organizate kriminale, Tiranën. Kjo është arsyeja se pse ne përqendrohemi tërësisht në Tiranë.
Arben Tafani: Çfarë mendon se fiton, kur nxin kombin shqiptar në arenën ndërkombëtare?
Sali Berisha: Je gabim shumë, shumë. Ta them me sinqeritetin më të madh. Kombin shqiptar e nxijnë ata të cilët nuk bëjnë zgjedhje, po farsë elektorale.
Kombin shqiptar e nxijnë ata të cilët presin në zyrën më të lartë të shtetit, përfaqësuesit e Sinaloas dhe i japin licenca për kaziono dhe hotel 5 yje.
Kombin shqiptar e nxijnë ata të cilët arrestojnë në vitin elektoral liderët e opozitës dhe janë sot të damkosur nga 115 parti politike në mbarë botën për dhunën politike ndaj opozitës.
Kombin shqiptar e nxijnë ata të cilët bllokojnë kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit për zv/kryeministren në një kohë kur ajo është e kapur në flagrancë.
Kombin shqiptar e nxin Edi Rama, i cili bashkë me familjen e tij, përvetëson miliarda nga pasuritë publike të shqiptarëve.
Kombin shqiptar e nxijnë ata të cilët vjedhin 90% të fondeve të investimit dhe shiko rrugët që ka ndërtuar me çmim të 10-fishtë krahasuar me Europën, rrugë që shpartallohen dhe shkatërrohen në shirat e para.
Kombin shqiptar e nxijnë ata të cilët zhysin shqiptarët nga qytetarët më të paguar në Ballkan në qytetarët me rroga dhe pensione më të ulëta.
Kombin shqiptar e nxijnë ata të cilët kanë përzënë nga Shqipëria në 10 vite, 1 milionë e 100 mijë shqiptarë vetëm në hapësirën e Shengen. Kombin shqiptar e nxijnë ata të cilët bëjnë puç dhe marrin të gjitha pushtet në një dorë. I dashur zotëri këto nuk i ka fshehur dot Edi Rama.
Unë po kthehem tani nga Asambleja Parlamentare e Strasburgut. Unë mund të ju them ju, dhe po ua përsëris se në historinë 75 vjeçare të Këshillit të Europës, Edi Rama është kryeministri i vetëm të cilit pas takimit që ka mbajtur i është anuluar dreka dhe takimet zyrtare sepse ka folur sikur të ishte i biri i Enver Hoxhës, ose Gadafi.
Unë me zërin tim që denoncoj, mbroj ju, mbroj ata shqiptarë të ndershëm të cilët nuk pajtohen me këto akte antikombëtare, antikushtetuese, çnjerëzore. Me këto akte të cilat Shqipërinë e nxjerrin nga harta e demokracive dhe e vendosin në hartën e autokracive.
Duke denoncuar këto publikisht ne i themi botës se, ky është Edi Rama që përfaqëson veten e tij dhe klanet e krimit, por jo qytetarët shqiptarë. Ndaj dhe unë kërkoj mirëkuptimin tuaj në interpretimin e gabuar që ju bëni.
Fjodor Prifti: Pse Rama është kaq i trembur sa ka lëshuar patronazhistët edhe tek profili juaj?
Sali Berisha: Rama është i tmerruar. Rama po bën gjithçka në botë, po shpenzon dhjetëra e qindra milionë që të dalë nga rrethi i kuq, por Rama nuk del nga rrethi i kuq.
Rama nuk shpëton dot nga lidhjet e tij me kartelet e drogës, të cilat tashmë janë evidentuar.
Por duhet t’u them se dosja Balluku dhe dosja e AKSHI-t janë dy doje që rëndojnë si gur të rëndë, si plumb mbi shpatullat dhe trupin e tij sepse ato faktikisht janë dosja Rama.
Pra nuk është dosja e Mirlindës, as e Belindës, dosja është e Ramës dhe Lindës së Surrelit dhe këtu janë problemet themelore.
Prandaj ai është kaq i tronditur, kaq në panik sa edhe fjalës normale të një fermeri i përgjigjet me arrogancën e një harbuti duke mos kontrolluar veten.
VIDEO – BASHKËBISEDIMI I PLOTË I BERISHËS ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE


