IKMT shemb banesat pranë 'Urës së Dajlanit', aktivisti: Na nxorën në rrugë pa respektuar afatin ligjor
Rreth 20 familje, përfshirë anëtarë të komunitetit Rom dhe Egjiptian, kanë mbetur pa strehë në zonën e 'Urës së Dajlanit' në Durrës, pasi banesat e tyre u shembën nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT).
Shkaku zyrtar i prishjeve është rehabilitimi i një kanali kullues, i cili më parë kishte shkaktuar përmbytje në qytet.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për 'Kafe Shqeto', Ismail Jakupi, Drejtor i Shoqatës USHTEN për mbrojtjen e romëve dhe egjiptianëve i cili ndjek çështjen nga afër, tha se banorët ishin njoftuar me një procesverbal në datën 21 të muajit, i cili u jepte një afat prej 10 ditësh për t'u larguar.
Në mënyrë të pashpjegueshme, fadromat e IKMT-së nisën punën në datën 27 ose 28, duke mos respektuar afatin ligjor dhe duke i zënë banorët në befasi.
Situata komplikohet më tej nga fakti se banorët kishin ngritur një padi në gjykatë kundër vendimit të prishjes, dhe seanca për shqyrtimin e çështjes ishte planifikuar pikërisht ditën kur u krye raportimi.
Autoritetet nuk pritën vendimin e gjykatës, duke vazhduar me shembjen e ndërtesave.
Aktivisti thekson se ky veprim bie ndesh me ligjin e vitit 2017 për strehimin, i cili përcakton qartë se asnjë familje nuk mund të nxirret nga banesa pa i siguruar më parë një strehim alternativ nga institucionet lokale, në këtë rast Bashkia Durrës.
Shumë nga këto familje jetonin në këtë zonë prej dekadash, që nga vitet 1996-1997, dhe kishin aplikuar disa herë për legalizimin e banesave të tyre, që prej vitit 2002, por pa marrë ende një zgjidhje.
Çfarë deklaroi Ismail Jakupi, Drejtor i Shoqatës USHTEN
"Ne jemi këtu në zonën në Durrës, në Urën e Dalanit, ku për shkak të rehabilitimit të kanalit kullues, i cili krijoi sipas institucioneve përkatëse, krijoi përmbytje në qytetin e Durrësit, u vendos që do bëhet një rehabilitim dhe duke bërë për pjesën e kësaj gjëje u detyrua që të prisheshin disa banesa.
Këtu deri tani domethënë, më saktë, janë prishur pothuajse të gjitha banesat, siç mund të shikohet dhe nga fotot ose faktet që janë këtu.
Në këtë zonë domethënë kanë qenë diku 20 banesa, ku në këto banesa jetojnë anëtarë të komunitetit Rom dhe Egjiptian, si dhe mazhorancë domethënë, janë të përzier.
Pardje kur janë prishur banesat kemi pasur konflikte me institucionet e IKMT-së, sepse normalisht nuk i kanë prishur banesat brenda rregullit të caktuar domethënë, sepse ata në datën 21 kanë sjellur një proces verbal që duhet të largoheshin nga shtëpiat dhe brenda proces verbalit kishte një afat 10 ditor, i cili thonte që për 10 ditë duhet të lirojmë shtëpinë.
Ata e kanë sjellë në datë 21 dhe në datën 27, 28, një diçka e tillë domethënë, janë prishur shtëpiat. Ndërkohë banorët kishin ngritur një padi domethënë në gjykatë. Sot ishte data e gjyqit për të parë vendimin.
Ata nuk e përmbushën këtë afatin e tyre kohor. Ndërkohë gjithashtu dhe prapë në bazë të ligjit të strehimit në vitin 2017, ëh, institucioni lokal, si në këtë rast bashkia, nuk duhet të lejonte domethënë t'u prishnin banesat pa siguruar një mënyrë se ku do të strehoheshin këto banorë. Mbas janë prishur shpiat domethënë, kemi bërë protestë në bashki, jemi munduar se si mund t'i mbështesim.
Për momentin kemi, është gjendur një zgjidhje minimale mund të themi, sepse familjet, të paktën këto të komunitetit Rom dhe Egjiptian, janë strehuar te Kavalishencat. Nuk e dimë se kur, deri kur do jenë aty, por të paktën na është thënë që mbase për një javë mund të rrinë aty.
Ne dhe sot për shembull jemi mbledhur prapë të gjithë po për të bërë dokumentacionet gati, sepse bashkia na ka thënë që do t'i mbështesim me bonus qiraje.
Ligji i strehimit, në 2017-ën, që e ka miratuar vetë qeveria, e ka të përcaktuar që do të thotë, ti nuk mund të prishesh banesat e familjarëve, të çfarëdo lloj kategorie, derisa institucioni lokal, që në këtë rast i bie bashkia, të sigurojë një jetesë se ku ata do të ikin, sepse këta shtëpiat nuk është se i kanë ndërtuar dje.
Këta i kanë ndërtuar të paktën, siç thonë dhe banorët, që në '97-ën, '96-ën, '97-ën. Në 2002-shin këta kanë bërë një procesin e vetë-legalizimit.
Mbas 2002-shit kanë bërë përsëri dokumentat në 2007-ën. Dhe ndërkohë përgjigja ju ka ardhur në 2026-ën që nuk do kualifikohen. Domethënë mbas 20 e ca viteve domethënë".


