VIDEO-Denoncimi i gazetarit: Hije të rënda mbi emrin e Dumanit
Gazetari Almer Toska ka publikuar video e një konflikti ku sipas tij është përfshirë truproja e ish-kreut të SPAK, Altin Dumani.
Në postimin e tij, Toska shkruan se në pamje shfaqet një personi identifikohet si Geg Njebza dhe se ngjarja lidhet me një konflikt pronësie mes një ndërtuesi dhe dy qytetareve.
Ai thekson se kjo situatë, hedh “hije të rënda” mbi emrin e ish-drejtuesit të SPAK.
Denonimi i plotë i gazetarit
VIDEO SKANDAL – HIJE TË RËNDA MBI EMRIN E ALTIN DUMANIT
Pamjet ekskluzive që po qarkullojnë publikisht dokumentojnë një konflikt të rëndë mes ndërtuesit Andon Pango dhe dy grave, të cilat pretendojnë se janë pronare legjitime të një apartamenti të blerë dhe të paguar prej vitesh, por që ende sot nuk u është dorëzuar. Sipas tyre, prona mbahet peng pa zgjidhje ligjore, pa transparencë dhe pa asnjë mbrojtje institucionale.
Videoja nuk tregon vetëm një përplasje verbale, por një situatë presioni dhe intimidimi ndaj dy qytetareve, të cilat kërkojnë vetëm atë që u takon me ligj: pronën e tyre.
Por skandali merr përmasa shumë më të rënda për interesin publik në momentin kur në pamje shfaqet një person tjetër, aktiv në konflikt, me gisht të fashuar, i cili sipas identifikimeve të përhapura gjerësisht në rrjetet sociale, rezulton të jetë Geg Njebza, i njohur publikisht si truproja i kreut të SPAK, Altin Dumani.
Këtu nis alarmi institucional.
Prania e një personi të lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e kreut të SPAK në një konflikt privat pronësie, në një objekt ndërtimi, nuk është as normale dhe as e justifikueshme.
Pyetjet që lindin janë të rënda dhe kërkojnë përgjigje urgjente:
Çfarë kërkon truproja e kreut të SPAK në një objekt ndërtimi privat, në kohën kur Altin Dumani drejtonte task-forcën në Tiranë?
Në çfarë cilësie ndodhet aty?
Kë përfaqëson realisht ai në këtë konflikt?
A vepron në emër të dikujt, dhe nëse po, të kujt?
A ka ndonjë lidhje pronësore, ekonomike apo personale mes këtij objekti dhe Altin Dumanit?
A është deklaruar ndonjë interes i tillë, nëse ekziston?
A është hetuar ndonjëherë kjo marrëdhënie nga procesi i vettingut?
Emri i Andon Pangos nuk është i panjohur për opinionin publik. Ai është përfolur më herët për afrimitet me figura të sistemit të drejtësisë, dhe kjo video e rikthen me forcë dyshimin se këtu mund të kemi të bëjmë me më shumë sesa një konflikt të zakonshëm biznesi.
Kur në një konflikt pronësie mes një ndërtuesi dhe dy qytetareve shfaqet një person i lidhur me sigurinë e kreut të SPAK, dyshimi për konflikt interesi, mbrojtje të paligjshme dhe përdorim ndikimi bëhet i pashmangshëm.
Në këtë pikë, çështja nuk është më morale, por thellësisht institucionale. Heshtja nuk është opsion.
Publiku ka të drejtë të dijë:
A ka apo jo lidhje të padeklaruara?
A po përdoret emri i drejtësisë për të frikësuar qytetarë të pambrojtur?
Dhe nëse këto pyetje nuk janë hetuar kurrë, pse nuk janë?
Drejtësia nuk mund të jetë e fortë me të dobëtit dhe e heshtur kur përmendet vetja

